“Më vjen keq, duhet të iki”. Me këto fjalë i është drejtuar pak a shumë Romelu Lukaku, Simone Inzaghit për t’i komunikuar zgjedhjen e tij për të shkuar te Chelsea. Është skena kryesore e një psikodrame për tifozët interistë që kanë nisur të kontestojnë me forcë një shitje që duket e paevitueshme. Pasi ka marrë një jo, ndaj ofertës prej 100 milionë eurosh të refuzuar 4 ditë më parë, tani Marina Granovskaia, drejtuese e Chelsea-t ka gati një tjetër propozim, natyrisht më të lartë. Synimi i saj është për të mbyllur gjithçka brenda 48 orësh, në mënyrë që ta vërë Lukakun në dispozicion të Tuchel, që për ndeshjen e Superkupës së Europës të mërkurën e ardhshme përballë Villarealit.
Ndërkohë dhe vetë lojtari po ushtron presion për një zgjidhje të menjëhershme, pasi kontestimi i tifozëve po nis të prekë dhe të, dhe situata po bëhet e papëlqyeshme. Veç të tjerash belgu në javët e kaluara kishte shprehur besnikërinë e tij ndaj Interit, por pastaj e ka bindur insistimi i Chelsea-t kampion të Europës me një projekt gjithmonë e më ambicioz e natyrisht edhe një kontratë më të pasur. Blutë i ofrojnë 12 milionë euro në sezon si dhe 3 të tjerë në formë bonusesh, pra 15 milionë euro neto në vit, por është sfida e re ajo që e shtyn të largohet nga Milano, aty ku projektit në ulje të Zhang po i bien copat.
Në këto momente te Inter janë në një pozicion të vështirë edhe drejtuesit, të vënë me shpatulla pas muri nga një situatë që po precipiton. Oferta e parë e Abramovich u refuzua. Marotta, Ausilio e Inzaghi i kanë shprehur pronarëve kinezë dyshimet e tyre, duke iu shpjeguar se sa i rëndë do të ishte largimi i Lukakut nga aspekti teknik për skuadrën. Por fjala e fundit i takon familjes Zhang dhe fondit Oaktree, një hap vendimtar ky për të kuptuar se cilat janë synimet e vërteta të klubit. Drejtuesit dhe trajneri duan ta mbajnë golaeadorin që në dy vitet e fundit i ka dhënë sukses ambicieve zikaltër. Por ndërkohë fati i kësaj ndeshjeje duket i paracaktuar, çka krijon një thyerje mes drejtuesve dhe pronarëve. Drejtuesit mendojnë se mund të arrijnë kursimet e nevojshme për të rregulluar llogaritë edhe pa sakrifikimin e Lukakut. Ndërkohë kinezët preferojnë të shohin menjëherë paratë.
Drejtuesit shqetësohen edhe për të nesërmen. Nëse Chelsea propozon një ofertë të parezistueshme, pranë 130 milionë eurove, sa do të jetë buxheti për ta zëvendësuar? Janë të shumtë emrat në axhendë, flitet shumë për sulmuesin e Atalantës Duvan Zapata, tanimë 30-vjeçar. Më tërheqëse duket kandidatura e goleadorit të Fiorentinës 21-vjeçarit Dusan Vlahovic, por në drejtim të serbit po punon edhe Tottenham që po përgatit shitjen e mundshme të Harry Kane, që duket me valixhet gati drejt Manchester City-t.