Duke nisur nga kjo e hënë, autoritetet kanë vendosur që të aktivizojnë spitalet rajonale për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me Covid. Lajmin e dha Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha se fillimisht do të aktivizohen spitalet e Durrësit dhe Shkodrës, për të vijuar me ato të Vlorës, Korçës e Elbasanit.
“Kemi rritje të pacientëve në reanimacione. Spitalet Covid, janë duke përballuar një fluks në rritje, ndërsa spitalet rajonale po trajtojnë rastet post-Covid dhe ato të dyshuara për të lehtësuar dhe përballuar situatën. Bazuar në skenarët e strategjisë së Vjeshtë-Dimrit do të aktivizojmë duke filluar nga sot, spitalet rajonale, duke filluar me Durrësin dhe Shkodrën e më tej, me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin. Dhe nëse do të ketë mbingarkesa në këto spitale do të vijojmë me skenarët e dytë dhe të tretë, për të aktivizuar në kapacitete të plota pavionët Covid, brenda strukturave tona të spitaleve rajonale”.
Ndërkohë 7020 doza të tjera vaksine të Pfizer do të mbërrijnë këtë të hënë në Tiranë. Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se ky është furnizimi i tretë i një serie që nuk do të ndërpritet. Përveç vaksinave të Pfizer, Shqipëria do të marrë edhe dozat e AstraZeneca.
“7020 doza vaksinash vijnë sot nga kontrata me Pfizer, është e treta e një serie furnizimesh që nuk do të ndërpriten, sepse ne do të vazhdojmë të lëvizim çdo gurë, për të siguruar vaksinimin e popullatës. Siç lidhëm kontratën me Pfizer, do të vijojmë më Covax, pra me dozat e AstraZeneca, që janë dhe pritet që të vijnë me përfundimin e procedurave të Covax. Po punojmë gjithashtu për lidhjen e marrëveshjeve direkte me shtete partnere për të siguruar edhe më shumë doza vaksine”, tha tej Manastirliu.