Presidenti rus Vladimir Putin në konferencën e përvitshëm drejtuar kombit tha se forcat ruse po arrijnë qëllimet e tyre në fushën e betejës në Ukrainë.
Ai tha se luftimet ishin komplekse, por çdo ditë po rimerrnin territore.
“Më duhet të them që situata po ndryshon në mënyrë dramatike. Ju e dini mirë këtë, thjesht dua ta konfirmoj. Lëvizja po zhvillohet çdo ditë në të gjithë vijën e frontit. Dhe siç e thashë tashmë, nuk po flasim për avancimin e 100, 200, ose 300 metra, luftëtarët tanë po marrin dhe po rimarrin territore me kilometra katrorë, dua të theksoj, po i marrim territore çdo ditë. Operacionet luftarake janë një gjë komplekse, dhe për këtë arsye është e vështirë dhe e pakuptimtë të merret me mend se çfarë ka përpara. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh. Dhe ne po shkojmë, drejt arritjes së detyrave tona parësore, të cilat i kemi përshkruar në fillim të operacionit special ushtarak”, tha Putin.
Putin gjithashtu shpalli edhe pamundësinë e shkatërrimit të raketës hipersonike, Oreshnik, për të cilën sfidoi edhe Perëndimin duke u kërkuar që ta testojnë atë në Ukrainë.
“Nuk ka asnjë shans për të rrëzuar këto raketa. Nëse ekspertët perëndimorë që përmendët mendojnë se Oreshniku mund të rrëzohet, ne u propozojmë atyre në Perëndim dhe në SHBA, të cilët paguhen për analizat e tyre, të kryejnë një lloj eksperimenti teknologjik, një duel të teknologjisë së lartë të shekullit XXI, le të emërtojnë ndonjë objekt, le të themi, në Kiev, të përqendrojnë të gjitha forcat e tyre të mbrojtjes ajrore dhe raketore atje, dhe ne do ta godasim atë me Oreshnik dhe do ta shikoni se çfarë do të ndodhë. Ne jemi gati për një eksperiment të tillë?”
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Putin tha se Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore kur vendet kërcënojnë Moskën.