Shqipëria nuk rrezikohet nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë. Kështu shprehet sizmologu Edmond Dushi, në një prononcim për Klan News, qetëson qytetarët duke thënë se lëkundjet sizmike shkatërrimtare të Turqisë nuk përbëjnë rrezik të drejtpërdrejt për Shqipërinë.
A ka rrezik Shqipëria duke qenë se Turqia është goditur nga një tërmet shumë i fuqishëm?
Sizmologu Edmond Dushi: Për të qetësuar, mund ta them që në fillim që nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë. Pra nuk përbën një rrezik për Shqipërinë fakti që ky tërmet ka ndodhur për shkak se distanca e konsiderueshme dhe pozicionimi tektonik i ndryshëm nuk e mundëson këtë gjë. Por që natyrisht rajoni i Mesdheut është tepër aktiv dhe kemi vënë re që ka një rritje të numrit të tërmeteve të moderuar deri tek të fortë. Përsa i përket këtij tërmeti, ky tërmet është një nga tërmetet në historikun e publikuar të tërmeteve të Turqisë, rezulton i dyti me këtë magnitudë. Turqia është një territor tektonik aktiv dhe ka tërmete me magnitudë mbi 7, ka një numër të konsiderueshëm tërmetesh të tillë.
Mbi 1 mijë të vdekur janë shkaktuar në Turqi e Siri nga tërmeti që goditi Turqinë mëngjesin e sotëm. Tërmeti me magnitudë 7.8 shkatërroi qindra pallate si dhe ka lënë me mijëra të plagosur.