Bota S’ka më asnjë vend të sigurt, vazhdojnë sulmet vdekjeprurëse të Izraelit në...

S’ka më asnjë vend të sigurt, vazhdojnë sulmet vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza

Sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin verior të Gazës vijojnë të mos bëjnë më dallimin nëse zonat janë me popullsi të dendur, shkolla apo spitale.

Autoritetet raportojnë se nga goditjet e pamëshirshme enklava e vogël palestineze është zhytur në një situatë katastrofike humanitare.

Hamasi tha se dhjetëra njerëz u vranë në një sulm në kompleksin spitalor Al Shifa në qytetin e Gazës, ku sistemi shëndetësor është në kolaps, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ushtria izraelite, e cila nuk dha asnjë koment tha se një njësi ushtarake kishte filluar një operacion në shkallë të gjerë shumë pranë spitalit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se gjysma e 36 spitaleve në enklavën palestineze tani nuk funksionojnë dhe se “më shumë se 250 sulme” janë regjistruar në sektorin shëndetësor në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor që nga shpërthimi i luftës.