Fotografi spektakolare të publikuara nga stërvitja e forcave speciale amerikane të Navy SEALs, tregojnë disa nga veprimet më ekstreme të kësaj njësie ushtarake të Marinës Amerikane.
Me një helikopter Chinook, ata janë parë të transportojnë një skaf ushtarak gjatë një seance stërvitore në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. Në operacionin që simulonte transportimin e trupave në një fushëbetejë, u përdorën edhe helikopterë “Black Hawk” dhe “Little Bird”, të cilët i përkasin Regjimentit të 160 të Operacioneve Speciale të Aviacionit, të cilët njihen edhe si “Gjurmuesit e Natës”.
Në fotografitë e tjera, ushtarët e skuadrës speciale – që në vitet e fundit ka kryer disa nga operacionet më të famshme ushtarake, si kapja dhe ekzekutimi i Osama Bin Laden dhe Abu Bakr al-Baghdadi-t – shihen teksa varen nga helikopterët për të zbarkuar në vendin e përcaktuar.
Sipas raportimeve, operacioni u realizua javën e kaluar, ndërkohë që në Europë po zhvillohet “Defender Europe 21” një tjetër stërvitje e madhe ushtarake amerikane, me vende të NATO-s, ku merr pjesë edhe Shqipëria.