Kryesore “S’kam asnjë ndrojtje për t’u paraqitur në SPAK”, Berisha-Ramës: Në ta mban,...

“S’kam asnjë ndrojtje për t’u paraqitur në SPAK”, Berisha-Ramës: Në ta mban, hajde votojmë heqjen e imunitetit

Në konferencën e sotme për gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë “ndrojtje” apo “vetëkufizim” që të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Por, ai thekson se fillimisht duhet të kryhet procedura parlamentare ku secili deputet të japë qëndrimin e tij me votë lidhur me këtë çështje, ashtu siç parashikon dhe Kushtetuta.

Kryedemokrati hodhi një sërë akuzash ndaj kryeministrit Rama, duke e sfiduar këtë të fundit që të shkojë në Kuvend dhe të votojë për heqjen e imunitetit të Berishës si deputet.

“Sali Berisha garanton çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën, përndryshe unë 100 herë shkoj pa asnjë lloj…Bile me një projekt të fuqishëm për të zbardhur të vërtetat aty ku nxihen, ndaj dhe e ftoj këtë burracak, këtë frikacak të ketë kurajo të vijë e të votojmë amendamentin i cili u heq deputetëve çdo mbrojtje, që i dallon ata nga qytetari i thjeshtë, në raport me sistemin e drejtësisë. Deputetët e opozitës do ta votojnë që nesër në Parlamentin e Shqipërisë, nuk autorizohet një mercenar që ka humbur çdo gjë njerëzore të shkruajë Kushtetutën në tavolinë, nuk ndodh ajo. Nuk shkruhet në tavolinën e gjykatësit, as prokurorit. Për të provuar a kam unë ndonjë ndrojtje apo vetë kufizim, për t’u marrë në pyetje, nuk kam asnjë. Aty është një vendim që kufizon lirinë e deputetit, Edi Rama e hodhi poshtë, në 2012-ën. Bëhu burrë dhe në ta mban hajde votojmë! Mos përdor mercenarët!”.

Berisha foli dhe për kërkesën që kanë paraqitur avokatët e tij për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.

I pyetur se a po krijon një precedent të rrezikshëm duke e cilësuar Gjokën si “kriminele e togave të zeza, e urdhëruar nga Rama”, Berisha e mohoi në mënyrë absolute.

“Absolutisht asnjë kërcënim! Por ajo me urdhër të Edi Ramës kërkon të shkruajë kushtetutën në tavolinën e saj, është mercenarizëm ekstrem. Kushtetuta nuk shkruhet, zbatohet. Asgjë nuk del mbi kushtetutën. Neni 73, pika 2: deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria ose ndaj tij të ushtrohet kontroll personal apo banese pa autorizimin e Kuvendit. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit. Nëse ti pranon të rrëzojmë Kushtetutën, por nuk ndodh kurrë.”

Kryedemokrati tha se ka një ftesë të fundit për kryeministrin.

“Urdhëro të heqim këtë nen, ai kontrollon çdo qelizë të drejtësisë, unë jam gati të barazohem me qytetarët. Por se lejon ai këtë!”