Flokët gjithmonë të rregullt, buzëqeshja shkëlqente si ajo tufë e krehur prapa. Gjatë pesë viteve të fundit, izraelitët kanë mësuar për fytyrën dhe qëndrimet e këtij ish-spiuni që mbushi 60 vjeç në shtator. Ata mezi e dinin emrin e paraardhësve të tyre dhe deri në vitin 1996 as atë, shefi i Shërbimit identifikohej vetëm me iniciale.
Por një “Y“ i thjeshtë nuk do të mjaftonte për Yossi Cohen. Edhe përpara se të përfundonte mandatin e tij si drejtor i Mossad-it (Shërbimi Izraelit i Inteligjencës, më i fuqishmi në botë), ai donte të ndërtonte një profil publik, në të cilat organizata përgjegjëse për operacionet e jashtme, gjithmonë përpiqet të lëvizë.
Kur në vitin 2018, Benjamin Netanjahu – asokohe kryeministër, e konsideronte Cohen një pasardhës të mundshëm të udhëheqjes të së djathtës – njoftoi se agjentët sekretë arritën të rikuperonin dosjet e programit bërthamor iranian, gazetarët morën konfirmimin nga burime anonime se operacioni brenda Teheranit u transmetua drejtpërdrejt nga vetë Cohen (burimi anonim sipas të gjithëve).
Tani, në pension (që nga qershori i kaluar), është gjithmonë ai që zbulon detaje të tjera për atë bastisje gjatë një interviste televizive. “Ekipi, – thotë ai, – përbëhej nga 007 që flisnin disa gjuhë të huaja; arkivi ishte fshehur në një zonë industriale dhe në një moment të caktuar rojet dhe punëtorët iranianë filluan të mbërrinin, ndërsa operativët po hynin brenda (“nuk është se mund të hidhesh në anën tjetër të murit dhe të arratisesh”).
Ai zgjedh një krahasim hollivudian: “Stili është si ‘Ocean’s Eleven’ me George Clooney, ku u përdor një ndezës për të hapur kasafortën”.
Por ai duket se ka gabuar, pasi programi investigativ i “Channel 13” pretendon se ishte zonja e tij ajo që ka zbuluar gjithçka para kohe.
Një marrëdhënie që filloi në vitin 2018, kur Cohen ishte shefi i spiunazhit të Izraelit. Të dy do të ishin takuar në aeroplanin ku gruaja punonte si stjuardesë dhe në udhëtime të tjera nëpër botë – të cilat, megjithatë duhet të kishin mbetur klandestine – Yossi do të ishte mburrur ndaj saj dhe bashkëshortit.
Ky i fundit vendosi t’ia zbulojë historinë gazetarit Raviv Drucker në një rrëfim të gjatë të transmetuar ditët e fundit. Ai (burri) ka shpjeguar se është takuar me Cohen përmes gruas së tij, se ka darkuar me të. “Ai është një llafazan, – thotë Guy Shiker, i njohur në botën financiare, – dhe dikur tha se Mossad kontrollonte mjekun personal të një lideri arab. Ose si duhej të vishej si udhërrëfyes turistik për një mision. Ai krenohej me stilin e tij menaxherial, që kur u bë drejtor kishte përjashtuar gjashtë drejtues divizionesh, sepse nuk ishin besnikë ndaj tij”.
Shiker shkroi në faqen e tij në Facebook se doli në TV për të mbrojtur dy fëmijët e tij (Cohen ka katër): “Çmimi i heshtjes po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë”.
Ish 007 e mohon dhe gruaja u përpoq të ndalonte transmetimin me ndërhyrjen e një gjyqtari: avokatët e saj mohojnë “marrëdhënien me Cohen ose se ai t’i ketë rrëfyer aksione sekrete çiftit” para divorcit.
Ata pretendojnë “se martesa nuk përfundoi për shkak të Cohen-it, – siç deklaroi Shiker, – klienti ynë kishte bërë kërkesë për divorc që në vitin 2016”.
Hetimi i gazetarit Drucker, zbulon gjithashtu se Cohen shfrytëzoi pozicionin në krye të Mossad-it, për të mbledhur informacione për burrin e saj dhe se vetë Shiker e nxiti atë të punësonte asistenten e tij personale, duke i ofruar asaj një pozicion në stacionin e agjencisë në Bangkok të Tajlandës dhe kërkesa është pranuar.