Një 33-vjeçar nga fshati Pistull i Bashkisë Vau i Dejës është bërë “viktima” e radhës nga institucionet shtetërore. Eduart Franja u ankua në Fiks Fare se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (ish INUK) i ka vendosur një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra për ndërtim pa leje në plazhin e Velipojës.
“Fiksi” ndoqi të gjithë procedurën e vendosjes së kësaj gjobe, ku INUV-i Velipojë, IKMT Shkodër, zyrat qendrore të IKMT-së në Tiranë, Gjykata Administrative e Tiranës apo zyra përmbarimore “Altin Voko” e kanë “gjobitur” banorin, megjithëse nuk e kanë verifikuar gjeneralitetet e plota.
Institucionet e lartpërmendura kanë shkëmbyer letra me njëra-tjetrën, ku ajo që bie në sy është se në asnjë vend nuk i kanë marrë atësinë, datëlindjen, vendbanimin, apo edhe numrin e pasaportës. Megjithatë, edhe pas investigimit, këto institucione nuk mbajnë përgjegjësi, duke deklaruar se e vetmja rrugë për z.Franja është një padi në Gjykatën Administrative, duke kundërshtuar veprimet përmbarimore. Në këtë rast, barra financiare do të rëndojë sërish ndaj qytetarit, që do të kryejë shpenzime gjyqësore, përmbarimore, hipotekore etj, etj.
Ankesa e qytetarit
Në emisionin investigativ Fiks Fare u ankua Eduart Franja, i cili pretendonte se në adresë të tij ka shkuar një zarf prej 5 milionë lekësh të vjetra si “gjobë” nga IKMT-ja. Sipas dokumenteve që posedon, në muajin tetor të vitit 2014, dega e IKMT-së së Shkodrës i kërkon INUV-it Velipojë evidentimin e ndërtimeve pa leje në plazh.
Me një shkresë të datës 31.10.2014, INUV Velipojë i ka dërguar një listë me emra dhe foto të ndërtimeve pa leje në plazh. Mes emrave ishte edhe i z.Eduart Franja, sikur kishte një ndërtim trekatësh në zonën që quhet Pulaj, Velipojë. Në dokumentin që disponon “Fiks Fare”, është vetëm emri dhe mbiemri, pa atësi, numër pasaporte apo datëlindje. Më pas, IKMT Shkodër bën një procesverbal konstatimi me emrin Eniard (Eduart) Franja, sërish pa të dhëna të tjera dhe ia dërgon IKMT-së Tiranë. Kjo e fundit përpilon një tjetër procesverbal, me firmën e kryeinspektores Dallëndyshe Bicit, dhe i vendos një gjobë prej 500 mijë lekësh në emrin e Eduart Franja, sërish pa gjeneralitete të tjera.
Në muajin shkurt të vitit 2016, IKMT-ja Tiranë kërkon nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë një urdhër ekzekutimi. Në muajin shkurt 2016, gjyqtari Bezart Kaçkini, lëshon një urdhër ekzekutimit të vendimit me numër 21 i datës 17 shkurt 2014 të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (ish INUK), për subjektin Eduart Franja. Në vendimin e gjykatës, një kopje të së cilit disponon “Fiks Fare”, nuk janë gjeneralitetet e plota.
Më pas, IKMT-ja lidh një marrëveshje me një zyrë përmbarimore, përkatësisht me zyrën e z.Altin Vako, dhe lajmëron për ekzekutimin vullnetar të detyrimit shtetasin Eduart Franja. E thërret në muajin shkurt 2017 dhe i vë në dispozicion disa dokumente, ku e lajmëron se, nëse nuk e paguan gjobën deri më datë 15 shkurt, atëherë do t’i sekuestrohet shtëpia dhe toka bujqësore në fshatin Pistull. Ashtu si edhe institucionet e tjera, edhe në dokumentin e lëshuar nga zyra përmbarimore nuk janë gjeneralitetet e plota, por vetëm emri dhe mbiemri i z.Eduart Franja.
Në ankesë, z.Franja thotë se është me ndihmë ekonomike prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj, babai i dy fëmijëve të mitur dhe nuk ka mundësi ta paguajë këtë gjobë. Madje, nuk ka të ardhura që ta ndjekë këtë çështje në rrugë gjyqësore.
IKMT Shkodër: Kemi shumë raste të tjera në Velipojë
Fiks Fare shoqëroi z.Franja në degën e IKMT-së në Shkodër. Përgjegjësi i kësaj dege, Ilir Baba, tregoi për ekipin e Fiksit se ka shumë probleme të tilla në Velipojë dhe se qytetarët i janë drejtuar gjykatës dhe i kanë fituar gjyqet. Ai thotë se problemi është i INUV-it të Velipojës, e cila i ka dërguar një shkresë më 30.10.2014, ku mes emrave është edhe z.Franja. Baba thotë se emrin e ankuesit mund ta ketë përmendur ndonjë banor i Velipojës, pasi ndërtimet në këtë zonë nuk kanë qenë të deklaruara.
Fiksi i kërkoi një informacion të hollësishëm përgjegjësit të IKMT-së së Shkodrës, i cili thirri në zyrë dy inspektorët Ermir MAdani dhe Armela Zaganjori. Ata thanë se i kanë kërkuar INUV-it Velipojë informacion për ndërtimet pa leje dhe se përgjegjësia për evidentimin me gjeneralitete të plota është pikërisht e ish-komunës.
Sipas inspektores Armela Zaganjori, është evidente se urdhri i përmbarimit ndaj Eduart Franjës nuk mund të ekzekutohet, pasi nuk ka gjeneralitete të plota. Edhe Zaganjori tha se në atë zonë ka shumë probleme të tilla. Inspektorët pranuan gabimet dhe thanë se qytetarët duhet ti drejtohen Gjykatës Administrative, me një kundërpadi.
Përplasja IKMT Shkodër dhe INUV Velipojë
Fiks Fare kërkoi një informacion për këtë çështje edhe në Njësinë Administrative Velipojë. Sipas një dokumenti që na u servir, institucioni që ka kërkuar evidentimin e ndërtimeve pa leje në Shkodër, ka qenë pikërisht IKMT Shkodër. Krahas këtyre institucioneve, e çuditshme është edhe vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, e cila ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit. Vendimi është për z.Eduart Franja, por mungojnë gjeneralitetet e tjera, datëlindja, atësia, nr pasaportës etj, etj.
Por, edhe në dokumentin e lëshuar nga zyra e përmbarimit, nuk janë gjeneralitetet e sakta, ndërkohë që zotit Eduart Franja i është lënë kohë deri më datë 15 shkurt për pagimin vullnetar të gjobës, ndryshe do i sekuestrohet shtëpia dhe toka bujqësore.
Fiksi iu drejtua me një kërkesë edhe zyrave qendrore të IKMT -së në Tiranë, të cilët na kthyen përgjigje se e vetmja mundësi për anulimin e gjobës, është një kërkesë e z.Franja në Gjykatën Administrative, ku duhet të kundërshtoj veprimet përmbarimore. Pra, megjithëse disa institucione gabuan në rastin në fjalë, barra financiare është sërish e qytetarit.