Të akuzuar se kanë ndërmjetësuar kontrata publike me kompania private për maskat në këmbim të komisioneve të majme, ata janë dorëhequr nga postet e tyre, por jo nga politika dhe rrezikojnë zgjedhjet e rëndësishme rajonale
Konservatorët gjermanë ndodhen nën një presion të madh politik në lidhje me një skandal maskash kundër Covid-19, ku në qendër të vëmendjes janë dy raste korrupsioni, të cilat tani për tani, përfshijnë një deputet nga CDU, Nikolas Lober dhe një të CSU, Georg Nuslein, të cilët kanë pranuar të japin dorëheqjen, por jo të largohen menjëherë.
Skandali nuk shpërtheu në një javë dosido. Të dielën, më 14 mars, votohet në dy lande, ekzatësisht në Baden-Wuerttemberg dhe Rheinland-Pfalz. Këto zgjidhje konsiderohen si një test vendimtar për emërimin e Armin Laschet si kandidat për kancelar. Në të dy landet Cdu ka humbur tashmë terren.
Ndërkohë, udhëheqësit parlamentarë të CDU-së, Ralf Brinkhaus dhe ai i CSU-së, Markus Soeder kërkojnë me ngulm largimin e deputetëve.
Dy deputetët dhanë dorëheqjen pasi u zbulua se kishin marrë komisione të kripura, ndërsa kishin ndërmjetësuar blerjen nga kompanitë publike të maskave anti-Covid nga kompanitë private.
Nicholas Lobel, i zgjedhur në deputet Mannheim për Cdu, tha të dielën se dëshiron të tërhiqet nga politika. Ndërkohë ka dhënë dorëheqjen nga grupi Cdu-Csu në Bundestag, por ka në plan të qëndrojnë në Parlament deri në fund të mandatit të tij në gusht. Lobel, që është edhe drejtues i një kompanie projektesh energjetike, ka marrë 225 mijë euro për ndërmjetësimin e një kontrate mes një prodhuesi maskash dhe dy kompanish publike. Asgjë e paligjshme, por e papranueshme për standardet etike të politikës federale.
Mea culpa dhe kërkimi i ndjesës nuk i kanë mjaftuar presidentit të Cdu dhe kandidatit të mundshëm për kancelar, Armin Laschet, që ka kërkuar nga Lobel ta lërë menjëherë mandatin.
Dorëheqja e Lobel ndjek atë të Georg Nuslein, zëvendëskryetar grupi i Cdu-Csu në Bundestag, për një skandal të ngjashëm. Edhe ai ka deklaruar se do të tërhiqet nga politika dhe është dorëhequr tashmë nga grupi parlamentar konservator. Por edhe dëshiron të qëndrojë deputet deri në fund të mandatit në gusht.
Rasti Nuslein është më i rëndë. Ai po hetohet për korrupsion pasi mori një mega komision prej 660 mijë eurosh nga një kompani kineze, si ndërmjetës për një furnizim të madh maskash gjatë valës së parë të Covid-19. Zyra e tij në Bundestag dhe zyrat e kompanisë së tij, si në Gjermani, edhe në Lieshtenstein, janë kontrolluar nga policia në kërkim të provave. Nuslein mohon të ketë bërë ndonjë gjë ilegale.
Ndërkohë, social-demokratët dhe të gjelbrit po e shfrytëzojnë këtë skandal duke theksuar përmes presidentit të të gjelbërve Robert Habeck se ”në koalicionin qeverisës, korrupsioni po del të jetë një problem sistemik dhe strukturor”.