Dy ditë pas publikimit të listës me pagat e shqiptarëve të punësuar e vetëpunësuar, Drejtori i Sistemit Informatik në Drejtorinë e Tatimeve ka dhënë dorëheqjen.
Ervin Muça mësohet se është vënë në dispozicion të hetimeve të nisur nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton për tre vepra të ndryshme penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.
Kryeprokurorja e Tiranës e pyetur për këtë çështje, tha se hetimet po vijojnë.
Prokuroria ka dërguar grupe hetimore në Drejtorinë e Tatimeve, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nga ku dyshohet se ka rrjedhur lista me të dhënat për pagat.
Prokurorët po verifikojnë të gjitha veprimet e kryera në sistem, me shpresën se përmes tyre do të arrijnë të personi që i ka shkarkuar të dhënat nga database.