Skandali i publikimit të listës së pagave dhe të dhënave të tjera personale, sipas gazetares Fajtona Mejdini duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të parë se ku po shkon shoqëria shqiptare me digjitalizimin. E ftuar në Publikisht në RTSH, Mejdini tha se tashmë shqiptarët ndihen sikur janë lakuriq përballë njëri tjetrit, por theksoi se ajo listë nuk tregon pasurinë reale në Shqipëri pasi ajo sigurohet përmes korrupsionit.
“Duhet të shërbejë si moment reflektimi për të parë se ku po shkojmë me digjitalizimin. Ne mund të gjendemi në këtë situatë kur të duket sikur je lakuriq përballë shqiptarëve. Ata duhet të jenë më kërkues të të drejtave të tyre. Ajo listë nuk referon pasurinë reale në Shqipëri. Pagat mund të sigurojnë një jetë të mirë. Pasuria reale bëhet përmes korrupsionit. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Kjo duhet të na mësojë të mos bëhemi lakmitarë. Duhet të jetë nxitje. Ja dhe në Shqipëri paska mundësi të tilla”, tha Mejdini.
Drejtori i Postës Shqiptare Ervin Bushati tha se duhet më shumë përgjegjësi nga njerëzit që merren me punët e shtetit si dhe nënvizoi se do ishte më njerëzore që ky skandal të mos bëhej publik para festave të fundvitit.
“Skandalet janë të momentit. Familja është vlera bazë e njerëzit. Këto festa janë pikërisht janë për të na bërë për të rijetuar momente që të jetojmë për familjen. Nuk do isha aq naiv sa të mendoja që politikanët të zgjidhin këtë. Duhet të presim më shumë përgjegjësi nga ata që merren me punët e shtetit. Do ishte shumë më njerëzore që këto histori të mos dilte para Krishtlindjeve. Le të dilte me datë 6”, u shpreh ai.
Ndërsa Erion Kristo foli për pasojat që ka sjellë lista e pagave duke deklaruar se janë krijuar konflikte në ambiente pune por edhe në familje.
“Ka plasur sherri nëpër shtëpi. Sepse disa burra dhe disa gra nuk e kanë deklaruar rrogën sa e kanë. Ka plasur sherri edhe në punë. Se futesh në punë dhe shohin njëri tjetrin pse e ka ky kaq. Tani njerëzit nuk reagojnë pothuajse për asgjë. Mund të nxjerrin listën e hipotekës, të dasmës, sëmundjeve. Duhet të ketë më shumë vullnete reaguese në shoqëri. Në të gjitha vendet e botës njerëzit do ishin derdhur në rrugë. Modeli i dorëheqjes do ishte korrekt. Unë nuk gëzoj por bëj humor pasi vetëm sarkazma na ka mbetur si armë”, theksoi ai.