Kryeministri Edi Rama e nisi me një ndjesë drejtuar të gjithë qytetarëve që iu është publikuar paga nga publikimi i databazës me të dhënat mbi pagave.
Kryeministri tha se kjo është një ngjarje që meriton të hetohet dhe i bëri thirrje organeve përkatëse që ta bëjnë këtë në mënyrë të plotë.
Qëllimi i publikimit të këtyre të dhënave, sipas Ramës, është për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet. Duke shtuar se kjo mund të mos jetë hera e fundit, Rama tha se thirrja e tij për prokurorinë është që të hetojë të gjithë inspektorët e tatimeve që kanë akses, por edhe ata që paralajmërojnë zymtira të tilla.
Sipas shefit të qeverisë, nga të dhënat e deritanishme kjo ngjan si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm, jo nga një sulm kibernetik.
“Dua t’i kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe dua ta nënvizoj qysh në fillim që kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht.
Uroj, shpresoj dhe bëj thirrje prokurorisë që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre dhe nga ana tjetër dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para dhe duke pasur parasysh edhe deklaratat e bëra nga foltoret e Kuvendeve dhe antiKuvendeve mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrja ime për organet ligjzbatuese, prokurorinë është që të hetojë imtësisht duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim inspektorët e tatimeve të cilët kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ata që aktualisht punojnë në këtë sistem, apo të tjerë që mund të jenë larguar ndërkohë nga ky sistem, në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot por edhe ata që nga foltoret e Kuvendeve të Antikuvendeve paralajmërojnë zymtia të tjera.
Së dyti dua të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, e cila duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por nga analizat paraprake ngjan shumë më tepër si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtëm në formën e një sulmi kibernetik. Nuk jemi as të parët, as të fundit. Nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore, le të themi viteve 2019-2020-2021 ngjarje të tilla kanë ndodhur në vende shumë të forta me mbrojtjet më të larta ndaj sulmeve kibernetike”, tha Rama
Më tej, Rama theksoi se “ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete të mëdha, si në Rusi apo Britani të Madhe”.