Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se qytetarët duhet të dalin në protesta pas publikimit të të dhënave personale të qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Berisha tha se nëse kjo ngjarje do të kishte ndodhur në shtete të tjera, Kryeministri do të ishte shkarkuar menjëherë.
I pyetur se si do të vepronte nëse do të ishte vetë Kryeministër, Sali Berisha u shpreh se do të jepte dorëheqjen.
Sali Berisha: Kombi i një njeriu për shumë shekuj dhe historitë e fundit, ndoshta na duhet një kohë më e gjatë që të vetëndizemi.
Arian Çani: Pse në një vend tjetër po të dilte ky megaskandal njerëzit do kishin dalë direkt apo jo?
Sali Berisha: Absolutisht, Kryeministrit i ishte harruar emri si Kryeministër. Ishte shkarkuar me ceremoni.
Arian Çani: Ti vetë po të të dilte kjo do jepje dorëheqjen direkt?
Sali Berisha: Pa diskutim.
Arian Çani: Do e çoje vendin në zgjedhje?
Sali Berisha: Nuk mund të kishte diskutim.
Berisha: Publikimi i rrogave, pasojë në biznese dhe familje, do ketë edhe divorce
Berisha e ka konsideruar si “megaskandali Ramagate” publikimin e rrogave të qytetarëve.
Sipas Berishës, kjo rrjedhje në publik e të dhënave konfidenciale të qytetarëve do të shkaktojë probleme në bizneset shqiptare dhe familje, madje duke shkuar deri në divorc.
“Megaskandali Ramagate shënon rrënimin e shtetit shqiptar. Shqipëria sot për mua shëmbëllen një ndërtesë të cilën zotërit e saj vodhën gjithçka të brendshme, u kthye në fund vodhën trarë dhe tjegulla dhe e kanë lënë atë në natyrë. Ky është skandali më i madh në botë kur një shtet të gjithë databazën e tij dixhital e vë në dispozicion të krimit, duke terrorizuar çdo qytetar me këtë akt.
Po marrim rrogat. Rroga dëshmon së pari që ky është thjesht një piramidë e vërtetë ku dominon fund e krye mashtrimi. Nxjerrja e rrogave në shesh mbjell sherrnajën më të madhe në familjet shqiptare. Sepse familjet sot janë realisht me kontributorë si aksionerë, ku anëtarët nuk dëshmojnë se sa marrin por përcaktojnë kuotën që japin, por kjo është shumë e rëndë. Kjo ngjall një sherr të përgjithshëm brenda familjeve.
Kjo ka krijuar një revoltë të përgjithshme. Pas kësaj fillon një sistem shantazhi. Është një akt nga më të papërgjegjshmit që mund të ndodhë ndonjëherë. Është qytetar i dhunuar nga ai që i ka besuar sekretin.
Të gjithë janë punonjës, asnjë nuk e publikon rrogën e tij. Secili e mban atë në privatësi. Kjo u bë sepse Rama donte të zëvendësonte hajdutin ministër dhe Kryeministër me hajdutin universal.
Kush e di sa divorce do ketë kjo. Do ketë largim punonjësish nga ndërmarrjet. Psikoza të padiskutueshme.
Kanë nxjerrë rrogat e Shërbimit Informativ Kombëtar. Rrogat e SHISH i kanë nxjerrë përpara këta, ai ka qenë një veprim flagrant për sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO, sepse sistemi i SHISH është i lidhur me sistemin e NATO-s dhe nxjerrja e pozicioneve dhe pagesave që u bë para disa kohësh ishte një rrjedhje e rëndë e sigurisë për NATO”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha.