Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden hidhet në sulm dhe jo kundër rivalëve demokratë në garën presidenciale, por kreut të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump.
76-vjeçari e akuzoi presidentin se po përpiqej të njolloste fushatën e tij, pasi e dinte se do ta mundte lehtësisht në zgjedhje. Biden kërkon nisjen e hetimeve, pas raportimeve se numri një i Uashingtonit i kishte kërkuar presidentit të ri të Ukrainës Volodimir Zelenski, të rihapte hetimet për korrupsion kundër djalit të Biden, Hunter, lidhur me aktivitetet e këtij të fundit si këshilltar i një kompanie të madhe gazi.
Kandidati për Shtëpinë e Bardhë i mohon pretendimet se ai apo djali, kanë vepruar në mënyrë të papërshtatshme në raportet e biznesit me Ukrainën, gjatë kohës kur ishte zëvendëspresident.
Biseda e përgjuar telefonike mes Trump dhe Zelenskit ka shtuar thirrjet për shkarkim të presidentit, ndërsa ky i fundit përsërit akuzat për “gjueti shtrigash”.