Qeveria Shqiptare ka vendosur të mbyllë Kolegjin Universitar “Wisdom”. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Vendimi i Qeverisë Shqiptare vjen pas skandalit me diplomat false të lëshuara nga ky kolegj.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohen edhe disa detyrime të “Wisdom”, ku urdhërohet që të mbyllë të gjitha detyrimet për vitin akademik 2023-2024.
Po kështu, kolegji duhet të përgatisë dosjen e çdo studenti për transferimin në një universitet tjetër dhe t’u kthejë pagesat studentëve për pjesën e papërfunduar të studimeve.
Të gjitha shpenzimet që rrjedhin nga mbyllja e Kolegjit Universitar “Wisdom” duhet të përballohen nga vetë ky institucion.
Vendimi për mbylljen e kolegjit erdhi pas operacionit të zhvilluar në Itali, ku një hetim disa mujor ka ngritur dyshime se në Kolegjin Universitar Wisdom lëshoheshin diploma dhe certifikata false.
Nisur nga kjo, në pranga kanë përfunduar 9 persona në Itali, ndërsa dhjetra të tjerë janë vënë në hetim. Mes të arrestuarve janë dhe pronarët e këtij kolegji.
Nga hetimet e zhvilluara, autoritetet italiane thonë se për një diplomë apo certifikatë të falsifikuar të arrestuarit me në krye pronarët e kolegjit përfitonin deri në 8 mijë Euro.
Për të vënë në jetë këtë skemë, mediat e vendit fqinj raportojnë se pronarët e kolegjit universitar Wisdom bënin dhurata në formë ryshfeti edhe tek një zyrtar në administratën shqiptare.