Aktualitet Skandali me infermieren e psikiatrisë, denoncimi i mësueses që zbardhi skemën e...

Skandali me infermieren e psikiatrisë, denoncimi i mësueses që zbardhi skemën e mashtrimit përmes kredive

L.D e moshës 34 vjeç është mësuese në një shkollë në Tiranë. Ajo u telefonua herë pas here nga një operator i LuteCredit se kishte aplikuar për kredi me qëllim blerje produktesh dhe se ende nuk e kishte shlyer këstin.

E gjetur në këtë situate, e reja që nuk kishte aplikuar asnjëherë për kredi u bind se ishte një viktimë dhe dikush kishte mashtruar me emrin dhe të dhënat e saj. Mbas gjithçkaje që ajo tregoi në polici, u zbulua se në këtë skemë ishte e përfshirë një infermiere e spitalit psikiatrik që merrte kartat e identitetit të pacientëve, shitëses dhe transportuesit. Deri më tani është zbuluar sipas burimeve policore të Gazetasi.al se janë mashtruar pesë persona, emrat e të cilëve Gazetasi.al i diponon.

L.D shprehet për Gazetasi.al se “normalisht isha e shqetësuar dhe jam e shqetësuar pasi nuk kam marrë asnjëherë kredi dhe as kam aplikuar dhe për këtë arsye ju drejtova për informacion zyrave qendrore të Lute Credit”.

Gruaja rrëfen në polici sipas burimeve të Gazetasi.al se rezultoi se në këtë institucion ajo kishte nënshkruar për kredi për elektroshtëpiake me vlerën 400 mijë lekë të reja dhe këto pajisje i kishte marrë nga dyqani i GOTECH që ndodhet në Porcelan, Tiranë.

“Nuk jam unë personi që kam nënshkruar këtë kontratë kredie dhe nuk e kam idenë se kush është personi që e ka bërë këtë gjë duke përdorur kartën time të identitetit dhe që ka përfituar elektroshtëpiake duke lënë si numër telefoni 06….. E kam provuar këtë numër po ky numër rezulton i mbyllur”, këmbëngul në polici e reja sipas burimeve të Gazetasi.al.

Nga ajo që zbuluam më pas, tregon policia për Gazetasi.al, doli që punonjësit e LuteCredit i kanë përmendur disa emra mes tyre edhe të Elisabeta Bardhollarit me detyrë infermiere pranë Spitalit Psikiatrik.

“E vërtetë, unë me këtë shtetase kam patur disa takime dhe komunikime mbasi motra ime do fillonte punë dhe mes tyre Elisabeta ka marrë dokumentet, midis tyre edhe fotokopje të kartave të identitetit për t’i dorëzuar në spital”, thotë e mashtruara.

Policia bën me dije se në korrik 2021 infermierja e spitalit psikiatrik ka komunikuar me A.O dhe e ka pyetur për kallëzuesen. “E pyeti nëse kisha fituar kredinë e butë nga bashkia dhe ka kërkuar prapë kartën time të identitetit”, shton ajo.

E reja është informuar se sakaq e motra doli që kishte marrë kredi prej 400 mijë lekë për elektroshtëpiake dhe njëherazi kishte vënë emrin e saj si garante.

“Dua të bëj kallëzim për këtë mashtrim dhe gjithashtu për shkak se motra ime nuk ka aplikuar për kredi dhe është shtatzanë dhe nuk vjen dot, dua të ngre të njëjtin kallëzim edhe në emër të saj, mbasi dhe ajo nuk ka marrë kredi”, thotë mes të tjerash denoncuesja.

Një nga shitësit rrëfen se infermierja shkoi në dyqanin GOTECH për të kryer blerje cash.

Policia tregon se si shitësja O.H thotë se klienti paraqitej me kartë identiteti dhe se mund të firmoste online. “Pasi firmoset kontrata klientit i jepen produktet” justifikohet e reja.

Policia e pyet se cilët janë klientët që ka nisur infermierja e spitalit psikiatrik dhe ajo përgjigjet: “Me sa më kujtohet më ka nisur foto të shtetasve E.L, L.D, L.H, A.U, F.B”.

Shitësja ia vë fajin infermieres e cila i ka nisur të gjitha aplikimet me fotografi dhe se aplikimin për kredi e kishte bërë ajo.

Burimi: Gazeta Si