Maqedonia e Veriut ka nisur hetimet lidhur me një incident që ka ndodhur në dëm të presidentes së Kosovës në aeroportin e Shkupit.
Ministria e Jashtme e këtij shteti pretendon se zonja Osmani nuk ka dashur që të kalojë telefonin e saj përmes skanerit të sigurisë në aeroport.
“Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi me dy policë të tjerë dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar probleme presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, lexohet në njoftimin e ministrisë së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, ka ardhur dhe reagimi i parë nga qeveria e Kosovës. Ministria e Jashtme dënon incidentin në dëm të presidentes Osmani duke theksuar se ndaj saj është bërë trajtim jodinjitoz. Prishtina ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Shkupit në Kosovë dhe nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Presidenca e Kosovës akuzoi autoritetet e shtetit fqinj për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe cenim të sigurisë pasi është tentuar që me forcë t’i merrej telefoni presidentes.
“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, thekson Bekim Kupina, këshilltar politik e zonjës Osmani.
Ai shton se sjellje të tilla nuk janë parë në asnjë udhëtim të presidentes, madje as në shtete që nuk e njohin Kosovën.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me atë që ka ndodhur me presidenten Osmani. Prej kohësh mediat në Kosovë, raportojnë për tensione mes Kurtit dhe Osmanit.
Opozita shqiptare në Shkup dënoi incidentin dhe kërkojnë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut që t’i kërkojë ndjesë publike zonjës Osmani.