Aktualitet Skandali në Pashaliman, 4 ushtarakë dalin nesër para gjykatës

Skandali në Pashaliman, 4 ushtarakë dalin nesër para gjykatës

Katër ushtarakë të bazës së Pashalimanit do të dalin ditën e nesërme (e hënë) para Gjykatës së Vlorës për caktimin e masës së sigurisë, pasi akuzohen për shkelje të shërbimit të rojës pas vjedhjes së armatimeve të lehta e të rënda të depos së armatimit në 10 janar.

Në hetim janë dhe zyrtarë të tjerë të bazës ushtarake të Pashalimanit që dyshohet se bashkë me të arrestuarit kanë kryer tre vepra penale; shkelje të rregullave të shërbimit të rojes me pasoja të rënda, vjedhje armatimi dhe falsifikim i dokumenteve nga punonjësi shtetëror.

Nga këqyrja e regjistrave të bazës ushtarake ka rezultuar se depot e armatimit janë lënë pa roje për rreth 4 orë mëngjesin e 10 janarit pasi ushtaraku është larguar për shkak të motit të ftohtë.

Shërbimi i rojës është rivendosur në orën 7 të mëngjesit kur punonjësi që ka marrë turnin ka firmosur dokumentet pa praninë e rojës që duhet të bënte dorëzimin e  rregullt të gjendjes së depos së armatimit.

Vjedhja është konstatuar disa orë më vonë, ku policia ushtarake gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka gjetur dhe një dritare të dëmtuar në depon e armëve e cila besohet se është përdorur për të nxjerrë jashtë materialet e vjedhura.

Një tjetër provë në vendin e krimit kanë qenë dhe një armë dhe disa municione që autorët e vjedhjes i kishin lënë jashtë bazës ushtarake në largim e sipër. Megjithatë hetuesit nuk kanë gjetur gjurmë gishtash në brendësi të depos, duke hedhur dyshime të forta se autorët kanë pasur informacione dhe se mund të kenë bashkëpunuar me personat e ndaluar.

Ndërkohë që lista e armëve dhe municioneve, është nga ato më të lehtat, deri te kalibrat më të rëndë.

Lista

2 armë luftarake automatike model 56 me bajonetë shtizë

700 fishekë luftarake 7.62 mm që përdoren nga armë luftarake pistoletë TT model 54

3691 fishekë luftarakë që përdoren nga armët luftarake automatik blindëshpues djegës

40 granata dore luftarake

40 ndezës për granata dore luftarake

1 krehër hark automatik luftarake

1 pushkë M-4 karabinë luftarake model 14.5 me barel 5x56x45mm

1000 fishekë luftarake model 5.56 mm x 45 mm me majë të rrumbullakët normal

4 krehra rezervë për 30 fishekë luftarakë 5.56 mm.

Në fakt, kjo është një ngjarje e rëndë që i kalon përmasat e një grabitjeje, pasi është kryer në një nga bazat më të mbrojtura ushtarake të vendit tonë, duke treguar se ushtria shqiptare, e cila është pjesë e NATO-s prej 10 vjetësh, ka nevojë për rritjen e sigurisë.