Për të ndryshuar pronësinë e makinës, apo për të nxjerrë targa të reja, duhet të shpenzosh ditë të tëra, dhe, përveç pagesave në shtet, duhet t’u japësh sekserëve 50 mijë lekë të vjetra. Kjo, pasi numrat e parë të aplikimit nëpër sportele, pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, i kanë marrë sekserët. E nëse nuk gjen një sekser, është shumë e vështirë të mbarosh punë.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një denoncim nga një qytetar nga Tirana, i cili tha se ka blerë një automjet para një muaji dhe e ka të pamundur që të ndryshojë pronësinë, për shkak të “radhëve” të gjata. “Edhe pse shkoj që në mëngjes pranë sporteleve, numri që më del është nga 200 e sipër.
E kam të pamundur të mbaroj punë, pasi në këtë drejtori në një ditë të zakonshme pune trajtohen vetëm 130 qytetarë ” thotë ai. Më tej shton se ka pritur me ditë të tëra, nga mëngjesi deri pasdite, por ka dëgjuar shpesh fjalët nga sportelistët “orari zyrtar ka mbaruar, hajde sërish nesër”.
Qytetari thotë se numrat i marrin sekserët, të cilët hyjnë pa radhë dhe mbarojnë punë. Ndërkohë, ankuesi në Fiks Fare, si pasojë e vonesës në ndryshimin e pronësisë së mjetit, është gjobitur disa herë nga Policia Rrugore.
Pas këtij denoncimi, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Fiksi siguroi dokumentet e një mjeti, i cili kishte katër vite që nuk qarkullonte.
Më pas, me këto dokumente, gazetarët aplikuan për ndërrimin e pronësisë dhe u futën në radhë, duke marrë numrin 145. Në këtë moment, një sekser me emrin Durim iu afrua, duke i thënë se me këtë numër nuk mund të mbaronte punës, pasi nuk kapej radha. Durimi u tha gazetarëve se për të hyrë pa radhë duhet të paguanim 50 mijë lekë të vjetra. Ai do të fliste me një person me emrin Soni dhe do na bënte nder.
Pasi humbën “radhën” ditën e parë dhe nuk pranuan dhënien e ryshfetit, gazetarët shkuan sërish të nesërmen, kësaj herë me arsyetimin për të ndryshuar pronësinë e një mjeti. Fiksi kontaktoi të njëjtin sekser, i cili qëndronte nëpër zyrat e institucionit dhe jashtë saj.
Fillimisht takojmë rojën, i cili tha se nuk ka numra, ndërsa sekseri nxori disa numra njëherësh, duke u ofruar njërin prej tyre. Ndërkohë, për të mbaruar punë sipas tij, ne duhet të paguanim një ryshfet prej 50 mijë lekësh. Sekseri tha se 30 do ia jepte një pranuesi dhe 20 një punonjësi poshtë. Pasi dorëzojmë lekët, gazetarët futen në institucion dhe ndryshojmë pronësinë e mjetit.