Episodi i shëmtuar i ndodhur në ndeshjen mes Ankaraguçu dhe Rizespor të kampionatit turk, ku Presidenti i skuadrës vendase, Faruk Koca, sulmoi brutalisht në fushë arbitrin Halil Umut Meler, ka sjellë pasoja të rënda. Federata njoftoi pezullimin e të gjitha kampionateve në Turqi, ndërsa vetë arbitri po mendon të tërhiqet nga futbolli.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministri i Rinisë dhe Sporteve, Osman Askin Bak, dhanë mesazhe që dënojnë dhunën; Ministri i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, bëri me dije se kishte nisur një hetim dhe ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se Faruk Koca dhe dy personat që e shoqëronin u arrestuan. Përveç grushtit, ata shiheshin duke shkelmuar arbitrin në tokë. Vetë ministri i Brendshëm e ka vizituar arbitrin personalisht në spital për t’u informuar për shëndetin e tij.
Pas asaj që ndodhi, më shumë detaje u mësuan për jetën e Umut Melerit, i cili u bë baba vetëm 10 ditë më parë. Imazhet e tij pas sulmit, ku shihet me sy të nxirë, janë në kontrast me ato të lumturisë së disa ditëve më parë, kur pozoi me djalin e tij të porsalindur. Tani, po shqyrtohet mundësia që ekipi Ankaraguçu të bjerë nga kategoria.
Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi, ka deklaruar nga ana e tij se nuk është në rrezik organizimi i “EURO 2032”. Buyukeksi kujtoi se Turqia është një nga dy vendet që do të presë Europianin, së bashku me Italinë. Aleksander Ceferin telefonoi dhe tha se UEFA mbështet Federatën Turke.
“Do të festohet së bashku me Italinë. Ne e dënojmë ashpër incidentin. Anulimi i Europianit nuk bëhet fjalë. Aleksander Ceferin më telefonoi dhe më tha se janë me ne”, tha Buyukeksi.
Ndërkohë, ekipi i arbitrave turq u tregua i prerë kur analizoi atë që ndodhi: “Për momentin nuk mund të mendojmë as për futboll, as për arbitrim. Mendimi ynë i vetëm është që Halil Umut Meler të rikuperojë së shpejti shëndetin e tij. Pasi të ndodhë kjo, ne do të takohemi si arbitra dhe do t’u shpjegojmë vendimin që do të marrim për vete dhe karrierën tonë”.
Veç kësaj, mjeku i spitalit ku u trajtua arbitri deklaroi: “Në këtë moment nuk ka asnjë rrezik për jetën. Ka hematomë rreth syrit të majtë. Aty ka një çarje të vogël. Nuk duket të ketë kërcënim për jetën. Do ta ndjekim pacientin sepse ka një dëmtim në kokë. Do ta dërgojmë në shtëpi pas analizave të nevojshme”.