Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka folur sot pas mbledhjes së qeverisë sa i takon skandalit në Spitalin Onkologjik. Ajo theksoi se përpos veprimeve të Prokurorisë së Tiranës ka nisur një hetim administrativ në këtë qendër spitalore.
“Korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme. Ne kemi nisur një hetim administrativ që do shkojë deri në fund dhe do ndëshkojë në mënyrë shembullore të gjithë ata që kanë abuzuar. Hetimi administrativ që ne kemi nisur bashkë më strukturat e brendshme të Auditit dhe Antikorrupsionit do trajtojë çështjet e organizimit dhe punës në këtë shërbim.”
Sipas ministres, do të kryhen edhe ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut.
“Është e papranueshme që mjeku ta trajtojë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës. Pikërisht për këtë fakt ne do sjellim në dimension tjetër figurën e mjekut dhe infermierit. Do kryhen ndryshime ligjore, amendime për ligjin për Urdhrin e Mjekut për të vendosur sanksione të forta, të cilat ndëshkojnë këdo, që krahas veprimeve të tjera, moralisht nuk kryen detyrën në mënyrën profesionale dhe me integritet”.
Reagimi erdhi pasi nga përgjimet rezultoi se 7 mjekë, mes tyre dhe zv.drejtoresha e QSUT, funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, ku i mohonin pacientëve me kancer të drejtën për të marrë shërbim falas në shtet, por i dërgonin ato te privati.