Skandali i Onkologjikut, që zbuloi skemën që përdornin mjekët për të orientuar pacientët drejt klinikave të tyre private, për kryeministrin Edi Rama është tregues se vendi ynë ka nevojë që të përmirësojë sistemin dhe mënyrën e menaxhimit të spitaleve.
“Për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të shkojë të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe duhet të marrë aprovim. Pra nuk mund të jetë hajde se po nisem. Dhe plus kësaj, sjellja e pacientit sa andej-këtej është thyerje e rëndë e kodit etik. Edhe tek aparaturat, krahasuar me vendet që janë në majë të botës si Spanja, kemi mangësi, por faktikisht aparaturat bazike moderne i kemi. Tani duhen aparatura që bëjnë veprime më të specializuara. Mirëpo ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse, ishte dhe një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin, mënyrën e menaxhimit”.
Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri në podcastin “Flasim” ku kishte të ftuar mjekun e njohur neurokirurg Kita Sallabanda i cili punon në Spanjë. Teksa theksoi se fytyra e spitaleve shtetërore ka ndryshuar, mjeku dha dhe dy këshilla për qeverinë.
Duke vlerësuar investimet e bëra nga qeveria në sistemin e shëndetësisë, Rama tha se spitalet i shajnë ata persona që nuk i kanë parë transformimet e ndodhura në vitet e fundit.