Mjeku Edmond Gashi ka reaguar lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të në lidhje me skandalin tek Onkologjiku. Përmes një postimi të gjatë në rrjetin e tij social “Facebook”, Gashi shkruan se ai udhëhiqet në punën e tij nga betimi i mjekut që nga dita e parë që ka hedhur mantelin e bardhë mbi supe.
Më tej, ai thotë se si mjek kirurg ai ka përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe se 90% e tyre janë operacione të suksesshme. Gashi shkruan se distancohet nga ajo që e quan “tendencë keqpërdorimi” të emrit të tij.
“Ndjej detyrimin dhe përgjegjësinë morale para familjes time, pacientëve, kolegëve dhe stafit mjekësor të Onkologjikut, qytetarëve të vendit tim, të sqaroj disa të pavërteta të nxitura nga portale anonime dhe gazetarë keqdashës në adresë të personit tim. E kam thënë që në krye të herës dhe e përsëris, si mjek udhëhiqem në punën time nga ai betim që më shoqëron prej ditës së parë që kam hedhur mantelin e bardhë mbi supe. Mjeku bën detyrën e tij që është trajtimi dhe referimi i pacientit për çdo rast që paraqitet për një problematikë shëndetësore. Mjeku nuk di ta mbyllë telefonin apo derën e dhomës së vizitave e konsultave. Mjeku nuk ka orar pune, por përgjigjet atëherë kur pacienti e kërkon që të luftojnë të dy së bashku sëmundjen. Si mjek kirurg kam përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe 90% e tyre janë operacione të suksesshme. I ka të dhënat Onkologjiku dhe QSUT-ja, verifikojini dhe binduni për çdo dyshim. Distancohem ndaj çdo tendence keqpërdorimi të emrit tim nga interesa të mirëfillta okulte. Le t’ia lëmë hetimit të zbardhë të vërtetën, besimi im ndaj institucioneve ka qenë dhe mbetet primar.”
Në lidhje me akuzën e thyerjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie”, Gashi shkruan: Jo pa qëllim ditën e djeshme unë kam mbërritur para ambienteve të Gjykatës në orarin e përcaktuar nga kjo Gjykatë, duke iu përgjigjur hetimit dhe institucioneve. Sërish u sulmova dhe atakova padrejtësisht pse me mua nuk ishte edhe Policia(?) Kësaj nuk di t’i jap shpjegim. Unë respektova orarin dhe u gjenda aty në përgjigje të institucionit. Në përfundim të seancës, po njësoj jam larguar nga ambientet e Gjykatës dhe dikujt mund të mos i ketë pëlqyer pse zgjodha derën tjetër. Gjykova se është më e drejtë të shmang të gjitha ato “topa balte” të pamerituara që janë lëshuar e lëshohen drejt meje. Kam respektuar masen e caktuar nga Gjykata. Oficeri i Policisë ka trokitur në derën time dhe unë kam qenë në banesë, është lehtësisht e verifikueshme. Por siç duket mediave që shpifin dhe përbaltin, faktet nuk i interesojnë.
Mjeku Gashi, i konsideruar si njeriu kryesor në skemën e zhvatjes në spitalin Onkologjik thotë se trajtimi shëndetësor në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e e pacientit dhe mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj.
“Po tentohet te denigrojnë figurën e një mjeku, një profesionisti të shëndetësisë që ka qenë derë e hapur për qindra pacientë dhe që ka vuajtur njësoj me dhimbjet e pacientit. Trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij. Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat. Ligji dhe statusi i mjekut nuk e ndalon një mjek të punojë në shtet dhe në privat. Ndjej keqardhje për këtë keqkuptim të krijuar dhe përhapur qëllimisht për interesa të kush e di se kujt.
Si qenie njerëzore edhe mjeku është i gabueshëm. Të luftosh me sëmundjen e dukshme dhe të padukshme, me plagët e vuajtjes çdo ditë, me qindra pacientë, të cilët shpresën e vetme e shohin te mjeku, nuk është aspak e lehtë. Ma besoni! Po të trajtohet drejt dhe të ketë vullnet për të çuar në dritën e transparencës çfarë nuk funksionon te Onkologjiku, le të bëhet hetim i gjithanshëm dhe i plotë. Nuk jam në pozicionin e akuzuesit e as të denoncuesit, i takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën dhe në fund të bëjë atë që i takon: Drejtësi!“