Skandali tek Onkologjiku, ku mjekët i trajtonin jetët e njerëzve si mall për para, u bë shkak të debate me tone të ashpra edhe ne Kuvend.
Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e cila tha se pas publikimit të atyre përgjimeve, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-ministrja Ogerta Manastirliu dhe ministri i drejtësisë, Ulsi Manja nuk duhet të ishin sot të ulur në karriget e Kuvendit. Sipas Vokshit, Manja, Koçiu dhe Manastirliu ose duhet të ishin shkarkuar, ose dorëhequr.
“Koçiu, Manja, Manastirliu nuk duhet të ishin në atë karrige, e kanë ditur të gjithë për skandalin tek onkologjiku, të gjithë kanë qenë në dijeni. Koka e korrupsionit janë këto ministra, drejtuesit e QSUT”, tha Vokshi.
Përgjigjen e mori nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku, e cila i kujtoi Reformën në Drejtësi.
“Reforma në drejtësi është bërë nga PS, nëse sot drejtësia është duke marrë të gjitha masat për të vënë në vend të drejtat, këto historitë me ministra që duhet të largohen ju mund ta kërkoni por ministri duhet të vazhdojë punën, jemi ne që marrim masa dhe ministrja do ju informojë të gjithë juve, jemi të tronditur dhe neveritur për gjithçka që kanë bërë, do të nisim kërkesë për ndryshim për ligjin për tu hequr licencën këtyre mjekëve”, tha Balluku.
Teksa Balluku i fliste për Reformën në Drejtësi, nga vendi demokrati Gazment Bardhi i bënte me shenjë prangat, teksa replikoi me tone të ashpra, aq sa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka tërhequr disa herë vëmendjen.
“Përfaqësuesit e krimit të organizuar na flet ne për drejtësinë”, tha ndër të tjera Bardhi.
Gjykata Penale e Tiranës do të vlerësojë këtë të enjte masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private. Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Në përgjime, dolën duke iu mohuar pacientëve shërbimin në shtet dhe i drejtonin drejt privatit.