Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot përpara Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo protestë vjen pas skandalit në spitalin e Onkologjisë, ku mjekë e punonjës, përfshirë zëvendës drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare, Brikena Qirjazi, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi në kurriz të pacientëve.
Qytetarët kanë kërkuar që SPAK të nisë hetimet për të gjitha repartet e QSU-së.
Gjatë fjalës së tij, gazetari, Osman Stafa u shpreh se ilaçet e personave që vuajnë nga kanceri dhe marrin trajtim pranë Onkologjikut nuk rimbursohen. Ndërsa shtoi se ka dhe mungesa në disa medikamente.
Osman Stafa: Këtu mbeten ata që shesin lopën dhe shtëpinë, apo marrin kredi. Nuk rimbursohen sot ilaçet në Shqipëri të atyre personave që vuajnë nga kanceri. Sistemi ynë shëndetësor ka shumë mjekë që bëjnë mirë punën e tyre. Kjo është një protestë kundër sistemit. Nuk mund të bësh pazar me jetën e një personi që nuk dihet si do i shkojë jeta. Thirrja është ndaj ministrisë së shëndetësisë, ndaj kryeministrit Rama, duhet të sigurojnë ilaçet. Aktualisht në QSUT ka qytetarë që nuk bëjnë kimio, sepse mungojnë pajisjet dhe medikamentet. Nëse nuk reagojnë ata që duhet të reagojnë, reagojmë ne.
Ndërkohë një qytetare, tregoi historinë e mbesës së saj, e cila vuante nga kanceri dhe nuk kishte marrë shërbimin e duhur nga mjekët. Ndërsa shtoi se nuk mund të marrësh shërbim pa paguar mjekët, madje dhe rojën që qëndron në hyrje të derës së spitalit. Ndërkohë sipas saj, mjekët i orientojnë familjarët e pacientëve drejt farmacive me të cilat kanë lidhje.
Qytetarja: Kam mbesën që kurohet për këto sëmundje. 20 mijë lekë shkon me i bërë serumin. Thuhet shëndetësia falas, na thonë shkoni në filan farmaci. Mirë unë, po ajo vajzë, që e ka jetën para, 25 vjeçe. A mund të shkojnë të gjithë jashtë shtetit. Nuk mund të shkosh në spital se të sheh xhepin, nuk kemi lekë për autobusë. Ne jemi me drejtësinë nuk na duhet partia. Me taksat e fëmijëve tanë paguhen të gjithë. Kam shumë emocione, kam shumë hall. Vajza ka qenë në punë, me nota ekselente. Shteti nuk interesohet për shëndetin e saj. Nuk mund të hysh tek dera pa i dhënë rojës 5mijë lekë. A mund ti thuash fëmijës vdis për një sistem serumi që thonë merre në filan farmaci.