Më shumë se 124,000 dokumente konfidenciale janë zbuluar nga britanikja The Guardian sesi Uber, një kompani që ofron shërbime udhëtimi, ka korruptuar politikanët kryesorë të arenës ndërkombëtare dhe ka shkelur ligjet. Gjithashtu, tregohet se si ish-shefi i firmës së taksive urdhëroi përdorimin e një mekanizmi që fshinte të dhënat në mënyrë arbitrare për të mbajtur policinë larg aksesimit të kompjuterëve.
Dosjet zbulojnë për herë të parë se si disa figura politike kanë ndihmuar në fushatën e saj për të dëmtuar industrinë e taksive në Evropë. Ndërsa taksistët francezë organizuan protesta të dhunshme në rrugë kundër Uber-it, Emmanuel Macron, tani president, kishte diskutuar me shefin e Uber, Travis Kalanick duke i premtuar atij se do të reformonte ligjet në favor të firmës.
Edhe Neelie Kroes, një nga zyrtaret më të lartë të Brukselit loboi fshehurazi për firmën, në shkelje të rregullave të etikës së BE-së. Dokumentet e zbuluara tregojnë metodat që Uber përdori për të hedhur themelet për perandorinë e saj.
Një nga platformat më të mëdha të punës në botë, Uber, tani është një kompani prej 43 miliardë dollarësh, duke bërë afërsisht 19 milionë udhëtime në ditë.
Uber nuk ishte vetëm një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në botë, por edhe një nga më të diskutueshmet, e ndjekur nga çështjet gjyqësore, akuzat për ngacmime seksuale dhe skandalet e shkeljes së të dhënave. Megjithatë kjo kompani deklaron se qëndrimi i saj në të kaluarën nuk ishte në përputhje me vlerat aktuale dhe se tani ajo është një kompani tjetër dhe ndryshe.