Hetuesit llogarisin se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar mbi 10 mln dollarë në skemën e tjetërsimit të truallit shtetëror në plazhin e Spillesë. Në këtë mekanizëm korruptiv janë përfshirë jo vetëm nëpunës të shtetit, por edhe banorë të zonës.
Më pas banorët njoftoheshin se ishte gjetur blerësi i tokës, për të cilën në disa raste noteri u trokiste në shtëpi për të kryer shitjen.
“Mashtrimi im ka rreth 6-7 muaj, më erdhën në shtëpi. Kisha probleme për një copë tokë aty dhe doja të bëja certifikatën. Ma bënë dhe ma sollën në shtëpi, të cilën e firmos. Se çfarë është bërë më mbrapa, vetëm kaq di unë për këtë çështje”, thotë Rexhep Kaja.
Por në dosjen hetimore, që Top Channel disponon, thuhet se 11 zyrtarë tashmë të arrestuar, së bashku me të tjerë ende nën hetim, përmes falsifikimit kanë regjistruar 36 hektarë tokë përgjatë vijës bregdetare në emër të banorëve.
Të arrestuarit janë të afërm të ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, vjehrri i ish-kandidatit socialist për Kavajën, si edhe ish-nënprefekti i Tiranës deri në muajin maj. Siç rezulton nga hetimi, e gjithë sipërfaqja më pas është shitur me dokumente që grupi i përcillte në institucione dorazi dhe jo përmes protokollit. Rezulton gjithashtu se kjo sipërfaqe është pronë shtetërore që është tjetërsuar, nga brez rëre dhe brez jeshil, në tokë arë.
“Shtetasi Lulzim Muça është një nga personat e dëmtuar në këtë skemë mashtrimi. Sipas rrëfimit të tij, dhënë përpara Prokurorisë, megjithëse ai kishte lidhur një kontratë qiraje për 25 vite me shtetin shqiptar, në qershor të vitit 2016 një person është prezantuar para tij si pronar i ligjshëm i këtij territori. Sipas këtij personi, ky territor nuk ishte brez jeshil në Spille, por tokë arë”./tch