Ditët e fundit prokuroria shqiptare ka vënë nën hetim qendrat call center-at të cilat funksionojnë në bazë të mashtrimeve. Gjithçka nisi pas një denoncimi të një qytetare gjermane e cila pasi investoi mijëra euro, me premtimin se do përktheheshin në kriptomonedha, vlerat monetare u zhdukën.
Emisioni “Opinion” në Tv Klan trajtoi të mërkurën këtë çështje. Gazetarja Lindita Çela tregoi mënyrën se si funksionojnë këto call center-a dhe se si arrijnë deri në pikën ku mashtrojnë njerëzit, në disa raste duke marrë edhe qindra mijëra Euro.
“Është një armatë e tërë punonjësish që bëjnë mbi 300 telefonata në ditë. Kemi rreshtin e parë të telefonatave që janë punonjës të themi, të nivelit të parë, pa ekspertizë, detyra e tyre është vetëm të bindin. Fillon joshja me 100 Euro. Me 100 Euro në platforma të caktuara që i tregohen klientit. Platformat janë fake, sepse po të futesh në bursë, këto platforma nuk ekzistojnë. Klientëve u tregohet sesi X produkt ka këtë vit në bursë, ka këtë vlerë financiare. Binden personat. Momentin që binden persona, operatori i nivelit bazik bën shënimet.
Më pas, janë operatorët e nivelit të mesëm. Ata kanë për detyrë që personat që kanë investuar 100 Euro ta çojnë në 1 000 Euro.
Pjesa që kalon, kemi tavolinën e ekspertëve, e mjeshtrave. Detyra e këtyre personave është të bindin të shkojnë investimet e tyre në vlerat që ne kemi zbuluar që kanë shkuar deri në 400 000 Euro dhe fitimet janë të mëdha. Personat investojnë. Duke qenë se janë të moshuar, i japin akses operatorit që edhe nëpërmjet teamviewr të futet në kompjuterin e tyre, t’u japin të gjitha të dhënat dhe kartat. Mënyra e pagesës është në të gjitha format.
Të gjitha këto para shkojnë në një llogari të caktuar. Kompania mëmë është ajo që kujdeset për degët. Shkojnë në X kompani. Unë si qytetar rri me idenë që kam investuar dhe do marr fitimin. Për x periudhë kohore, le të themi 1 muaj, 2 muaj, sigurisht në këtë platformën e manipuluar ti e ndjek rritjen, por është diçka fake, e klonuar. Vazhdojnë duke investuar dhe një ditë zhduket”, tha Çela.