Katër oficerë policie mbetën tragjikisht të vrarë, ndërsa 4 të tjerë u plagosën ndërkohë që ekzekutonin një urdhër arrest në Chalotte të Karolinës së Veriut në SHBA. Një prej autorëve të dyshuar u gjet i vrarë në oborrin e shtëpisë që u rrethua dhe ku ndodhi përplasja e armatosur që zgjati të paktën 3 orë.
Ngjarja shënon një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj forcave ligjzbatuese në SHBA, në dekada.
Oficerët ishin pjesë e një task force të drejtuar nga shërbimi Marshall i SHBA. Ata po përpiqeshin të ekzekutonin një urdhër arrest të hënën, ndaj një të dyshuari i cili ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje, kur shpërthyen të shtënat.
Fillimisht, oficerët iu kundërpërgjigjën të shtënave që erdhën nga një person nga pjesa përparme e shtëpisë. Në këtë moment ata u përballën me breshëri plumbash që erdhën nga brenda banesës.
“Sot humbëm heronj që ndodheshin atje për të ruajtur sigurinë e komunitetin tonë”, tha kreu i policisë së Charlotte-Mecklenburg, Johnny Jennings. Në një deklaratë për mediat, ai tha se ky ishte sulmi më i rëndë ndaj oficerëve policisë që kishte dëshmuar në 30 vite karrierë.
Dëshmitarë thanë se të shtënat vijuan për më shumë se dy orë, që nga sulmi fillestar, në zonën rezidenciale që ndodhet në lindje të qytetit. Gjithçka mori fund kur policia bastisi banesën në fjalë duke përdorur mjete të blinduara, që morën para gjithçka gjetën e shkatërruan dritaret e dyert e shtëpisë.
Dy persona të tjerë, një grua dhe një 17-vjeçar, të cilët u gjetën brenda në shtëpi me të dyshuarin po merren në pyetje nga policia. Besohet se të paktën njëri prej tyre qëlloi në drejtim të oficerëve.
“Ka shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, ende nuk e dimë se cilat janë pyetjet. Duhet të kuptojmë plotësisht përse ndodhi kjo ngjarje dhe të ruajmë po ashtu integritetin e hetimeve”, tha kreu i policisë së Charlotte-Mecklenburg, Jennings.
Gjatë rrethimit shumë prej shkollave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes u mbyllën, ndërsa banorëve iu kërkua që të gjenin strehë.
Një dëshmitar, duke folur për CBS News, tha se po bënte punime në shtëpi kur dëgjoi policinë që i bënte thirrje të dyshuarit që të dilte jashtë banesës ku ishte strehuar.
“Pas kësaj, gjithçka ishte kaos. Të shtënat vinin nga të gjitha anët. Në shtëpi na erdhën Swat dhe Marshallët që vendosën snajper në dhomat e gjumit, ishte çmenduri. Për gati 30 minuta kishte vetëm breshëri armësh”, rrëfeu dëshmitari.
Kryebashkiakja e Charlotte, Vi Lyles tha se kishte biseduar me presidentin Joe Bien, i cili kishte shprehur ngushëllimet tij për komunitetin. Vetë kryebashkiakja u shpreh e pikëlluar nga ngjarja.