Massimiliano Allegri dëshiron të kthehet në krye të një skuadre. Kjo është siguria e vetme mbi të ardhmen e trajnerit italian. Futbolli e kërkon, por ai duhet të presë edhe pak. 53-vjeçari nga Livorno po përgatitet për një projekt të ri, akoma për t’u zbuluar, por që do ta edhe një here – dhe nuk mund të jetë ndryshe – protagonist.
Me pak fjalë, dy sezone pushim mund të jenë të mjaftueshme. Allegri e bëri të qartë në intervistën e fundit, dhënë për Sky, se po përgatitet për të nesërmen. Mund të jetë në Itali apo jashtë vendit të tij, kontaktet e para, edhe pse në fazë fillestare, kanë nisur. Situata globale duket e pasigurt, megjithatë Max dëshiron të kthehet.
Bisedat e muajve të fundit, në lidhje me Romën, nuk kanë kaluar pa u vënë re, teksa po flitet gjithnjë e më shumë për shkarkimin e Fonsecas.
Nëse do të varej nga portugezi, nuk do të kishte dyshime për vijimësinë e projektit të kryeqytetasve. Por ndjesitë janë se familja Friedkin dëshiron të rrisë nivelin dhe ambiciet e klubit verdhekuq. Muzikë e ëmbël për veshët e Allegrit, që edhe në kaluarën ka qenë pranë Romës. Ndoshta kjo pistë mund të bëhet sërish e mundshme.
Sidoqoftë, është e vështirë të mendosh për një kthim të bujshëm tek Juventusi. Pavel Nedved deklaroi pak ditë më parë se cikli u mbyll në një mënyrë natyrale dhe pa keqardhje.
Napoli, gjithashtu do të ndryshojë drejtues, me Rino Gattuso që i skadon kontrata. Zërat thonë se Aurelio De Laurentiis synon të kalojë në një emër të shquar; në një “martesë” tjetër madhore. Të gjitha rrugët çojnë në një udhëzues për zhvillim e përmirësim te blutë, ndaj me Allegri mund të hapet një cikël shumëvjeçar.
Vëmendja, pastaj spostohet jashtë Italisë. Ndërsa Max nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për ta matur veten jashtë Italisë, deri më tani, propozimet e ndryshme të marra nuk kanë qenë të duhurat. Allegri kërkon projektin e duhur, që të (ri) ndezë pasionin. Do një klub që mund t’i garantojë atij mundësinë për të konkurruar në një kontekst (shumë) ambicioz.