Nga Francesco Semprini, La Stampa
Ideja e rindërtimit të biletës fituese të vitit 2009 dhe 2017, por me role të kundërta, Barak nuk mund të kandidojë më si President
Nju Jork – Në rast se plani A është të ‘ringjallet’ Xho Bajden, dhe të mbështetet deri në fund kandidatura e tij për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, dhe plani B është të shpresohet që ai të tërhiqet në kohë për t’i lënë vendin Kamala Harrisit apo një kandidati tjetër, ekziston ndërkohë edhe një plan C.
Pra një ofertë presidenciale, që i sheh krah për krah mbiemrat Bajden dhe Obama, por jo të bashkëshortes së këtij të fundit Mishel, si një skenar metapolitik shumë sugjestionues. Dhe Obama për të cilin po flasim është Barak.
Kështu pretendon në një analizë të fundit gazeta “Washington Examiner”, që shpjegon se ish-presidenti nuk mund të aspirojë për një mandat të tretë, siç parashikohet edhe nga Amendamentet 12 dhe 22 të Kushtetutës së SHBA-së, por mund të kandidojë si zëvendës i presidentit aktual.
Nga njëra anë, kjo formulë do të prodhonte qetësi dhe do të garantonte ata që kanë frikë nga stabiliteti psikofizik i Xho Bajden, dhe nga ana tjetër do ta lejonte këtë të fundit të “drejtohet nga të tjerët” në një më mënyrë shumë efektive.
“Një ofertë Bajden-Obama ndaj elektoratit, amerikan do të kishte një shans shumë më të mirë për ta mundur Donald Trumpin”– thotë Xhon Banzhaf nga Shkolla Juridike e Universitetit Xhorxh Uashington. Profesori nënvizon se ky është një shteg që mund të shfrytëzohet nga demokratët, në një përpjekje të tyre të dëshpëruar për të mbajtur kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, dhe për të vendosur de fakto në garë Barak Obamën kundër Donald Trumpit.
Gjithsesi kjo tezë ngre jo pak dyshime. Së pari do të nënkuptonte anashkalimin e Kamala Harrisit, një lëvizje e cila do të kishte pasoja të mundshme tek votat e grave, veçanërisht atyre afro-amerikane. Ndonëse duhet theksuar se Obama ka ende një ndikim shumë të fortë tek elektorati me ngjyrë.
Por mbi të gjitha ngrihet pyetja: çfarë do të ndodhte nëse presidenti aktual do të tërhiqet pasi të jetë rizgjedhur në detyrë? Së fundmi, nuk ka asnjë tregues se vetë Obama është i hapur ndaj planit C, megjithëse ish-komandanti i përgjithshëm është i jo pak shqetësuar ndaj mundësisë që Trump të mposhtë Bajdenin në zgjedhjet e nëntorit dhe të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, sa vjen e shtohet grupimi i kundërshtarëve brenda Partisë Demokratike që po i kërkon Bajdenit të tërhiqet nga gara. Një grup donatorësh demokratë, të cilët me sa duket po fitojnë shumë mbështetje edhe nga liderët në Wall Street dhe Silicon Valley, dhe deri në qarqet e Hollivudit, po punon për të mbledhur deri në 100 milionë dollarë në kuadër të një fondi garancie të quajtur “Next Generation Pac”, i cili do të do të përdoret për të mbështetur një kandidat alternativ ndaj Bajden.
Në krye të kësaj nisme është Majk Novograc, miliarderi i kriptomonedhave që mbështeti Din Filips në zgjedhjet paraprake brenda demokratëve, dhe regjisori Endrju Jarecki. Ndërkohë, pas bashkëthemeluesit të Netflix, Rid Hastings (një nga financuesit kryesorë të Asinello), i cili i kërkoi Bajdenit të tërhiqet nga gara, është edhe Ebigeil Diznej, trashëgimtare e dinastisë së famshme me të njëjtin emër, që nuk e mbështet më presidentin aktual.
“Unë synoj që të pengoj çdo kontribut për Partinë Demokratike, derisa ajo të zëvendësojë Bajden si kandidat për president”– deklaroi ai për televizionin CNBC. “Kjo qasje është realiste, dhe jo një mungesë respekti ndaj tij”– shtoi më tej ai.
Një grup tjetër donatorësh të mëdhenj të Partisë Demokratike po ushtrojnë presion që në garë të hyjnë emra të njohur dhe të rinj të moshë si Greçen Uitmer apo Gevin Njuzom, përkarësisht guvernatorët e Miçiganit dhe Kalifornisë. Por vëmendja është edhe tek Kamala Harris.
Ndër mbështetësit e saj kryesorë është Rejmond J.Mekguajër, president i kompanisë financiare Lazard, i cili e përkufizoi atë si “të aftë për të bashkuar këtë komb nëpërmjet kapërcimit të çdo lloj ndarjeje”.
Financues të tjerë të demokratëve, shpjeguan se po i zhvendosin donacionet e tyre me synim mbrojtjen e kandidatëve për Kongresin dhe në postet e tjera shtetërore. ”Ne duhet të vazhdojmë të financojmë makinerinë elektorale të Partisë Demokratike”- nënvizoi Endrju E. Bek III, një drejtues i njohur i biznesit tashmë në pension.
Pak kohë më parë, ai dhuroi më shumë se 100.000 dollarë për fushatën presidenciale të Bajden dhe për Komitetin Demokratik Kombëtar. Së fundmi, ka nënshkruar një deklaratë së bashku me një koalicion liderësh të biznesit, duke i kërkuar shefit të Shtëpisë së Bardhë që të japë dorëheqjen.
Tani e gjithë vëmendja është drejtuar tek presidenti Bajden dhe tek aktivitetet e ditëve të ardhshme, të cilat do të jenë vendimtare për mbijetesën e kandidaturës së tij. Duke filluar nga tubimi i të premtes në Medison të Uiskonsin, një nga shtetet kryesore në zgjedhje, si dhe intervista me gazetarin e njohur amerikan Xhorxh Stefanopulos të televizionit ABC.
Dhe pikërisht orët e fundit, është bërë virale një gafë e re nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Gjatë një programi radiofonik, Bajden nisi që të listonte arritjet e tij ndër vite, por në një moment ai artikuloi një fjali konfuze: ”Jam krenar që jam zëvendëspresidenti i parë, gruaja e parë me ngjyrë, që shërbeu nën një president me ngjyrë?!”.
Nuk ka dyshim që ai i referohej Kamala Harrisit (gruas së parë afro-amerikane që u bë zëvendëspresidente e SHBA-së) dhe Barak Obamës (presidentit të parë afro-amerikan), por sërish formulimi ishte i fjalisë ishte krejtësisht i gabuar.