Kulturë Skënder Rusi; “Ç’ditë e bukur për të vdekur”

Skënder Rusi; “Ç’ditë e bukur për të vdekur”

Poeti që ka lindur lirik dhe do të mbetet epitoma, mishërimi i bukurisë poetike dhe emocionit lirik

Requiem Homazh -in Memoriam

Nga Raimonda Moisiu-Sade

I trishtë lajmi i ndarjes nga jeta e mikut tim, i miri i më të mirëve, e lirikut të shquar korçar, poeti i dhimbjes e dashurisë Skënder Rusi, -kjo emblemë  poetike, lirike dhe bashkëkohore.

Poeti dhe shkrimtari Skënder Rusi është nga ai kamp poetik që dalin dhe shpërthejnë rebelët, poeti dhe njeriu që shkruante me aq dhimbje për dashurinë njerëzit, nënën, gruan, babain, motrën, por mbi të gjitha, vargjet lirike pafund Korcës së tij, që ai e donte aq shumë. Poeti dhe njeriu që dashuronte cmëndurisht botën e letërsisë, poezisë dhe të librave. Letërsia dhe poezia i bën njerëzit të butë, të dashur e të dhimbsur, – i tillë ishte poeti i shquar i vargjeve lirike. Skënder Rusi.

Sa herë shkoja në Korçë dhe endesha ngado rrugëve të qytetit tim, entuziaste dhe optimiste, shijoja sinqeritetin që rrezatonte mirësi, miqësi, dashuri, vullnet e kulturë, shijoja bashkëjetesën e kësaj magjie ngazëllyese me dinamizmin njerëzor. Komunikoja me vlerën e tyre të pamatë të reales dinjitoze dhe shpirtërores njerëzore, fleksibitetin e tyre. Ecja dhe ndalja aty përballë Bibliotekës që mbartte emrin e autorit të “Bleta Shqiptare”, – Thimi Mitko. Kjo godinë madhështore mblidhte “pjalmin e bletëve” të artit, historisë, dijes, letërsisë e kulturës, muzikës, poetë e shkrimtarë, inteligjencës e qytetarisë korçare, në brendësi të saj, duke i ruajtur ato përjetësisht si pasaporta e qytetit, pika e takimit dhe e komunikimit me trashëgiminë e traditës, gjuhës dhe vlerave qytetare e kombëtare, të mesazhit për jetën dhe ekzistencën e dashurisë njerëzore dhe frymëzimit të përhershëm. Si gjithmonë nuk mund të rrija patakuar njeriun që drejtonte këtë “arkiv” të artit e kulturës, lirikun bashkëkohor, -mikun tim fisnik dhe të vyer, poetin Skënder Rusi. Pasi të përshëndeste, me atë buzagazin e tij karakteristik, Skënder Rusi fillonte e të recitonte vargjet e poezive të tij të sapo krijuara dhe të librave me poezi që pati botuar. Ai recitonte vargjet, dhe në zërin e tij poetik, dalloje ndjeshmërinë e vetëdijshme për marrëdhënien e natyrës me shpirtin e njeriut, një zë poetik i veçantë, plot madhështi e me shije të hollë nga koha dhe përkushtimi ndaj artit poetik. Thuhet që një poet duhet tërë jetën të shkruajë vargje në bahcen e tij poetike, duke shprehur thellësinë e ndjenjave të cdo luleje, gjethe e petale të saj, melodinë e cicërimave të zogjve, me përkujdesje, brishtësi e butësi, dashamirësi e zemërdhëmbshuri,  gjetje e detaje të tilla imtësisht artistike që mbajnë peng lexuesin dhe shpirtin e poetit. Jeta merr kuptim për poetin dhe njerësit që e rrethojnë, liriku Rusi e dashuronte jetën dhe hidhte ndjenjat e tij në poezi, që rrjedhin me nektarin e vargjeve; dashuri, magjepsje, ëndërrim, thirrje shpirti, pasion, lektisje zemre, frymë e frymëmarrje, muzën që nuk reshtte kurrë. Skënder Rusi është ndër lirikët më të shquar bashkëkohorë që reflekton e përcjell delikatesën dhe elegancën e ndjenjës së dashurisë mes dy qenieve njerëzore, por edhe si njeri-humanizmin. Ai dinte t’ia dilte dhe në çfarëdolloj mënyre arrinte suksesshëm ndjeshmërinë absolute me botën magjike të vargjeve. Poezia me titull “Vajzë prej qelqi”-është e thjeshtë në dukje, njerëzore, i shpërndarë ku ndjenjat luajnë këndshëm me koloritin e endjes së tyre, me sakrificën e saj pa pengesa dhe me dëshirën e mirë, që në fund gjithçka të jetë për dashurinë, miqësinë dhe njerëzoren;”Vajzë e vogël/me sy prej qelqi/sa herë hyj brenda tyre/unë eci zbathur/mos thyej ndonjë gjë/që dot se ndreq!”

Sakrifica e sfida për ndjenjën dhe me ndjenjën, për dashurinë dhe me dashurinë, të përballueshme, të ngrohta e të ëmbla, krejt jetësore e njerëzishëm mes dy qenieve në endjen e ndjenjës së përditëshme, se i përkasim dashurisë për jetën.

“Qelq i ke sytë, qelq!/vajzë kryeneçe/me buzët prej qelqi/sa herë ndeshem në to/ti mua më kap rob/dhe robërit i trajtoke keq!/Qelq,/I ke buzët/qelq!Vajzë e brishtë,/me trup prej qelqi/duart i kam skelet,/dridhem kur të prek,/kam frikë mos më thyesh vërtet!/qelq je e tëra qelq!”

Pikërisht kjo është ajo c’ka reflektohet në poezinë e Rusit, ku secili nga ne qoftë mashkull apo femër gjejmë vetveten, por edhe ata që nuk e gjejnë, sigurisht forca e ndjeshmërisë të tyre, i bën të gjejnë diçka nga vetvetja. Secili nga ne gjen shpirtin binjak, përkujdesjen, dashurinë e njerëzve të jetës sonë, që ecin e marrin frymë me ne, që marrin e japin dashuri për ne e me ne, që i kemi pranë nesh me shpirt zemër e mëndje. Afeksioni metafizik i jetës, që na ndjek në çdo hap të saj, që i dëshirojmë me të gjitha atributet njerëzore të kësaj bote. Lirikat poetike të  Skënder Rusit, me figura artistike e mendim filozofik, me rimëbardhat, kadencën dhe melodinë e fuqishme, dëshmojnë gabimet e bukura dhe forcën e tyre tërheqëse, të papërballueshme e të dëshirueshme për t’i përsëritur. Rusi jo vetëm është i talentuar, por ai dhembshurisht dhe me kujdes, tregon agoninë e një botë të ashpër, butësinë e saj në nevojën për njerësit, të natyrës konfesionale të lidhur me shpirtin e tyre. Nga vëllimi poetik, “Digjen meteorë”, po shkëput disa tituj poezish që poeti i ka përdorur edhe për të emërtuar kapitujt e këtij vëllimi si; “Lirikë”, “E paske një mall”, “Dhe vjen një moshë”, “Net marrëzish”, “Simfoni e takave”,“Vetmi gruaje”, “Kapriçoja e erës” “Gruaja mëkatare”, “Se ti gjithmonë sec bën ca gjëra”, “Duhet të duhemi” “Ç’ditë e bukur për të vdekur”, poezi që mbartin identitetin unik në zhanrin e saj. Pikërisht në poezitë “Vetëvrasje” (kushtuar –V.Qurkut-) dhe “Nuk qënka lojë” (kushtuar-Ilir Belliut-) ka dhimbje, ankth, tjetërsim, zbrazëti, dëshpërim që mund të jetë rezultat e një padrejtësie morale e shpirtërore, paraqet botën e konsumuar nga brutaliteti dhe robotizimi i saj; “Unë po ik’ miku im, po ju lë,/nuk pranoj me të tjerët të flas./jam ky kalë i lodhur që sheh,/që tërheq tërë botën nga pas/ jam ky kalë i lodhur që sheh,/I dënuar të mbaj mbi shpinë./Ndaj dhe erdhi ky çast që tu lë,veten time ta flak në greminë./(poezia Vetëvrasje,fq.119), apo të poezia “Nuk qenka lojë”, -për Ilir Belliun-fq. 131.“Gjithmonë kam shpresuar/se ish një lojë poeti/se u zhyte mes ujrash/sa për t’u fshehur pak./Delfin i brengës, ke ngatërruar detin,/atje ishte vendi yt,/e jo këtu në Dajt”

Në strofën e fundit të kësaj poezi shpirti i poetit shpërthen në zemërim e tërbim: “Kush të pëshpëriti,/ atë shteg të marrësh,/ty s’mund të të nxërë asnjë botë tjetër/- poezia të rrëmben në udhëtimin e një game të tërë të emocioneve të njeriut me brishtësinë si edhe të gjithë intensitetin e saj duke iu drejtuar përsri me vargjet ;”Unë e di që do ikësh/edhe prej parajsës,/drejt një qielli të grisur,/ku pushojnë poetët”.

Poeti lirik Skënder Rusi është mjeshtër, bukur dhe koherent, me metafora, me inteligjencë e parabolik, bën një gërshetim të fantazisë me realitetin, dramë e humor, me shumë të papritura, gërshetim që e ndihmon në perceptimin e narrativës poetike. Të gjitha këto në shërbim të ndjenjës së ndarjes e urtësisë së shpirtit njerëzor. Rusi shkëlqyeshëm në cdo varg të lirikave të tij, të befason me kompleksitetin dhe imagjinatën e tij, lejon lulëzimin e pjekurisë dhe urtësisë së shpirtit, magjepsjen, harmoninë, dashurinë, mallin, dhimbjen, jetën e vdekjen. Poezia e tij, është referim i fuqishëm shpirtëror, pafundësisht i këndshëm, intim, interesant, i ndjeshëm, ritëm e muzikalitet, fjalor të pasur me figura artistike të veçuara që krijojnë imazhin poetik të ndritshëm, të lëvizshëm, të angazhuar e të hermetizuar, forca tërheqëse në kuptimin e fjalëve, duke harmonizuar botën e brendshme me botën e jashtme, në të njëjtën kohë. Unë jam mëse e bindur se sa herë të lexohet poezia e tij, do të zbulojë më shumë nuancat e saj brenda shpirtit të gjithsecilit. Lirikat e Rusit ju ndihmojnë të kuptoni se ju tani kini rrëmbyer gjithë diturinë për t’iu përgjigjur dilemave të jetës. Poeti ka dhuntinë e vërtetë për të shpalosur përmes fuqisë poetike të dyja anët e mistereve të shpirtit, një përvojë e rrallë kjo që krijon një koleksion të paharrueshëm të bukurisë shpirtërore. Rusi në cdo lirikë zbulon e sjell risi dhe freski në rrugën e tij të komunikimit me idetë e tij dhe ndjenjat -me aftësi e njohuri, aspektet kyçe të poezisë, manipulon gjuhën për efekte të veçanta, mosvënja në disa raste e shenjave të pikësimit, apo praktika e veçantë e dhënies së titujve me metafora erotike, përshkrimi i realiteteve të dhimbshme, të shoqërisë shqiptare: “Kam filluar të jetoj në të tjerë njerëz,/(Ika prej vetes ku gjithnjë bëhej luftë.)/Si një i plagosur që lë fushën e betejës,/Dhe shkon për tu mjekuar, ku të mundë./Nuk mund të rrija më aty brenda,/Ku në fron, cdo natë,/Vihej zemra”,-klith në vargje poeti Skënder Rusi. Autori i këtyre vargjeve është në thelb “poet i imagjinatës së errët dhe artist i vetëdijshëm që i di vlerën e të fshehtave të artit. Rusi shquhet në lirikat e tij  për varitetet, vitalitetin dhe cilësinë e tyre. Ai gjallëron format tradicionale ekzistenciale e impresionuese dhe stile më të qarta të të kuptuarit eklektik të krijimtarisë, vizionin e impulseve, thellësinë e ndjenjave, sensin e vet, dhe pasurimin e gjuhës.

“Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Duhemi./Ndaj dhe kjo ditë/nuk perëndon ende./Ne jemi akrepat e orës së diellit,/Lëvizim brenda tij,/ si brenda një zemre./Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Vështrohemi./Duke u bërë secili/sadopak i verbër/Që të mos na vijë turp kur të takohemi,/në tao vende ku s’ka shkelur asnjë tjetër.”(-Poezia “Ne s’bëjmë asgjë të keqe”-fq.167 –nga vëllimi poetik “Digjen meteorët).”

Rusi nuk ndalet në ligjërimin e bukurisë shpirtërore dhe ekzistencën e ndjenjës së dashurisë duke na dhënë edhe veten e tij në ngjashmëri me universalen e ndjenjave të dy qënieve. Dhe ai vazhdon me vargjet në të njëjtën poezi: “Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Puthemi./Duke hapur portën/ e botës së përtejme./Brenda saj gjithmonë/ka dicka prej absurdi,/që bëhet shkak për grindjet mes njerëzve./Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Gënjehemi./Duke i marrë atë që i vjeshton,/njëri-tjetrit./Në u bëfshim Promete,/zjarre nuk do vjedhim,/Por urrejtjet që në shpirt/mbajnë njerësit.”

Lirizëm i freskët, mendim tejet i ngjeshur, figuracion spontan, i përzëmërt, madhështor, i ngarkuar emocionalisht e kumbues. Virtyti i lirizmit të Rusit është ritmi në kërkim të së bukurës e të ndjeshmes, i pjekurisë dhe urtisë së tij, është kombinimi perfekt i dy rrymave; ekzistencializmit & impresionizmit.

“Korçës –një fjalë dashurie” është titulli i poezisë që poeti lirik Skënder Rusi ia dedikon qytetit të tij, ku ai jeton, punon e krijon. Tashmë kjo poezi është bërë himn, recitohet nën zë nga qytetaria e rinia korçare në çdo cep të saj.

“Jetoj në një qytet në formë zemre,/Ku kitarat netëve marrohen!/Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin,/Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!/Jetoj në një qytet që dremit,/Dhe zgjohet mbi supin e një mali./Ku dielli para se të nisë udhëtimin,/Çlodhet pak mbi sup të një ushtari!*/Jetoj në një qytet që më deh,/Jo me vodkë,por me dashuri!/Ku çdo grua,në sy,nuk të sheh,/Po të ndjek me sy,kur s’sheh ti!/Jetoj në një qytet që m’i fal,/Të gjitha marrëzitë që kam bërë!/E ç’ta fsheh,edhe unë jam mëkatar,/Ndaj dhe falem siç falen të tërë!/Jetoj në një qytet që e dua,/Brenda zemrës së tij kristal!/Dhe druhem,a do arrij dot,/Që famë,nga fama ime t’i fal! Jetoj në një qytet ku nesër

do të kem,/Patjetër emrin e një rruge!/Po të më pyesni kë do zgjedh,/do t’ju tregoja atë,/Që në vend të gurëve/është e shtruar me puthje!”

Kjo poezi është një dhuratë e përkryer e poetit Rusi për Korcën dhe qytetarët e saj, ka spiritualitet e dëshirë për të hulumtuar në zemrën e qytetit e dinamizmit njerëzor. Poezia mbart ndjenjë, dashuri, mall, brengë, nostalgji, muzikë, histori, gjeografi, mbart imazhet e këtij qyteti mondan e historik, qyteti i dashurisë dhe artit, dijes e kulturës, i serenatave e blireve. Mbart qytetarinë dhe botën intelektuale të frymëzimit të vazhdueshëm–mbart thesarin shpirtëror të Korçës. Shkruan prozë, reciton poezi, të flet dhe të krijon vargje me një rimë monstruoze, duke përdorur sarkazëm ironi, metafora dhe epitete te shumta në mënyrë të koloruar…!

Meditonte poeti teksa binte muzgu dhe dita ngrysej,mes thjeshtësisë së shpirtit, madhështisë së vetmisë, ëmbëlsisë dhe etjes për jetën, rebel i heshtur edhe ngjyrimeve të vdekjes, që poeti e dinte fare mirë – fenomene jetësore e njerëzore që munden të shpëtojnë vetëm përmes artit. Në të gjitha këto e tërhiqte tradita se si ajo përqendrohet vetëm në atë moment kur fjalët e poetit fillojnë të jetojnë pas vdekjes së tij.

Poeti Skënder Rusi është epitoma, mishërimi i bukurisë poetike dhe emocionit lirik për të shprehur atë që e beson përballë krizës së shpirtit dhe të krizave në jetë. Skënder Rusi është mendja e pena lirike brilante bashkëkohore që besonte se mund edhe të ndryshojë e ta verë në lëvizje botën nëpërmjet testamentit sfidues e besues, gëzimit e dhimbjes, brengës e vetmisë, me finesë dhe i beftë, i ëmbël dhe i dhëmbshur, mërmërimë dhe pëshpërimë, trishtim e dashuri. Skënder Rusi ka lindur lirik e do të mbetet emblema poetike e letrave shqipe, si poeti i dhimbjes së bukur- dashurisë njerëzore. *Bëhet fjalë për monumentin e Ushtarit të Panjohur në qendër të Korçës.

Me ikjen e poetit dhe shkrimtarit Skënder Rusi ndjejmë trishtimin, boshllëkun dhe mungesën që na lë në zemër e shpirt, gjithmonë humbje e një personaliteti intelektual, kombëtar e historike për kombin, letrat shqipe, Korcën dhe shoqërinë shqiptare. Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Skënder Rusi , hija e veprës së tij do të shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

U prehsh në paqe Skënderi ynë i mrekullueshëm, Poeti i Dhimbjes e Dashurisë!

Qofsh i paharruar!

Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Me dhimbje, respekt e dashuri

Raimonda Moisiu-Sade

Author/ Freelancer

Jacksonville Florida USA