Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e një dite më parë, ku në zonën e Valiasit një argjendar u grabit nën kërcënimin e armës.
Burime pranë policisë thanë se argjendari Luis Balliu dhe agjenti i krimeve pranë Komisariatit nr.4, Egzon Mustavataj, ranë pre e grabitjes nga dy persona që ende nuk janë identifikuar nga policia.
Mësohet se një varëse me vlerë 8 milionë lekë u mor nga dy agresorët kur vetë argjendari po shkonte për ta shitur varësen tek një klient, pasi kishin komunikuar në rrjetet sociale. Punonjësi i argjendarisë pasi ka patur një varëse të shtrenjtë ka lajmëruar shokun e tij, efektivin e policisë së Komisariatit numër 4.
Sipas dëshmisë së tyre, pasi kanë mbërritur në vendin e kërkuar nga klienti një automjet me ngjyrë të zezë tip Golf 5 me targa te huaja ka ndaluar afër tyre. Nga mjeti kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç ku njëri prej tyre mbante një automatik.
Dyshohet se autori madje ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat. Më pas autori tjetër ka hapur derën e makinës ku ndodheshin Balliu dhe Mustavataj dhe i ka marrë varësen.
Efektivi i policisë në momentin që ka ndodhur ngjarja ka pasur me vete pistoletën e shërbimit, por që nuk e ka përdorur. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket automatikut të autorëve.
Pas marrjes së dëshmisë së Balliut, policia ka mësuar se ai ka pasur dhe konflikte për borxhe të papaguara, ndërsa po punohet për identifikimin e klientit me të cilin Balliu komunikoi në rrjetet sociale.