Një 35-vjeçar ra në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se dhunonte e mbante të mbyllur familjen e tij.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se autoritetet ndërhynë pas informacioneve se 35-vjeçari Jetnor Zhaboli dhunonte në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij dhe sa herë që largohej nga shtëpia e mbyllte atë brenda së bashku me nënën dhe vajzën e tij të vogël.
Gjatë kohës që nuk ndodhej në shtëpi, ai i monitoronte me kamera dhe u bllokonte valët e telefonit, në mënyrë që të mos kishin mundësi të komunikonin me njeri.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në DVP Tiranë, pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua Jetnor Zhaboli, 35 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesë, së bashku me nënën dhe vajzën e tyre të mitur. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe ju bllokonte valët e telefonit duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person”, tha policia në një njoftim për mediat.