Pasi humbi Lionel Messin, ekipi i futbollit Al-Hilal, i Arabisë Saudite, bëri një ofertë rekord prej 332 milionë dollarësh për lojtarin Kylian Mbappe të hënën, një ofertë që mund ta shohë sulmuesin francez t’i bashkohet Cristiano Ronaldos në mbretërinë e pasur me naftë.
Ekipi Paris Saint-Germain e konfirmoi ofertën për lojtarin e tij dhe i ka dhënë Al-Hilal-it leje për të hapur negociatat direkt me Kylian Mbappen.
Mbappe, fitues i Kupës së Botës 2018, vendosi të mos e shfrytëzojë opsionin e një zgjatjeje 12-mujore të kontratës së tanishme me PSG-në, mes tensioneve në rritje mes të dy palëve. Në vend të kësaj, ai planifikon të dalë si lojtar i lirë në fund të sezonit të ardhshëm, mes pritshmërive të larta për t’iu bashkuar Real Madridit.
Ekipi PSG nuk e mori Mbappen në turneun e tanishëm përgatitor në Japoni, para fillimit të sezonit të rregullt, dhe duket se klubi francez është i vendosur ta shesë atë, nëse nuk do të bindet të nënshkruajë një kontratë të re.
Një marrëveshje e re tani duket gjithnjë e më shumë e pamundur me marrëdhëniet midis 24-vjeçarit Mbappe dhe PSG-së që janë tensionuar gjithnjë e më shumë.
Arabia Saudite është përpjekur vitet e fundit të përdorë fonde të mëdha për të qënë e pranishme në sportet ndërkombëtare. Përveç Ronaldos, kontrata e të cilit thuhet se shkon deri në 200 milionë dollarë në vit, turneu “LIV Golf”, i financuar nga Arabia Saudite, tronditi botën e golfit profesional.
Këto nisma janë pjesë e përpjekjeve të Princit saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman për të shfrytëzuar pasurinë e naftës të mbretërisë për të ofruar vende pune dhe mundësi të reja për të rinjtë e Arabisë Saudite. Megjithatë, kritikët i kanë hedhur poshtë përpjekjet për të përdorur sportet profesionale për të pastruar imazhin e mbretërisë, pasi ajo mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të dënimeve me vdekje dhe ka mbi një vit që është përfshirë në konfliktin e përgjakshëm në Jemen.
Në fillim të këtij viti, skuadra Al-Hilal dështoi në një përpjekje për të nënshkruar një kontratë me Messin, pasi ylli argjentinas zgjodhi të luante për ekipin “Inter Miami” në Florida.
Oferta për Mbappen do ta bënte atë futbollistin më të paguar në histori, duke kaluar 262 milionë dollarët që PSG pagoi për brazilianin Neymar, të cilin e mori nga Barcelona në vitin 2017.
Arabia Saudite është duke bërë përpjekjeje të vazhdueshme rekrutimi për të joshur lojtarët më të mëdhenj të futbollit që të shkojnë në vendin e pasur saudit.
Pasi Ronaldo pranoi t’i bashkohej ekipit Al-Nassr në dhjetor, skuadrat saudite kanë vazhduar të rekrutojnë emra të shquar nga ligat më të mira të Evropës. Lojtari i madh i Real Madridit dhe mbajtësi aktual i Topit të Artë, Karim Benzema, nënshkroi me kampionin saudit Al-Ittihad muajin e kaluar së bashku me futbollistin francez N’Golo Kante.
Roberto Firmino, Kalidou Koulibaly dhe Marcelo Brozovic janë ndër emrat e tjerë të mëdhenj që do të shkojnë në ligën fitimprurëse saudite, e cila po bën oferta tepër të larta për lojtarët në një përpjekje për të rritur profilin dhe cilësinë e futbollit në vend.