Nga Spartak Ngjela
Nuk heqin dorë sllavët nga Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Se këtë e kanë një sëmundje të vjetër. E gjithë jeta e tyre nacionale ka qenë luftë kundër shqiptarëve, krim dhe genocid antishqiptar, dhe gjithmonë një kompleks inferioriteti në funksion të historisë dhe gjuhës shqipe.
Falsifikatorë historikë kundër historisë së Shqipërisë dhe botës shqiptare në Gadishullin Ilirik. Dhe mjeranë që i janë trembur jo vetëm historisë sonë me lavdi që nga Piroja dhe prijësit e tjerë epiroto-ilirë, por sidomos gjuhës shqipe. Dhe duhet ta theksojmë gjithmonë që shqiptaria u rezistoi të gjithë tallazeve, derisa në Shekullin e XX dhe tani në Shekullin e XXl shqiptaria i ka trembur thellë pushtuesit greko-sllavë të territoreve shqiptare.
Koha po ecën drejt Arbërisë.
Prisni dhe shikoni…
I.
E gjithë historia e Serbisë është një ide fikse makabër kundër shqiptarëve, qëkurse sllavët kanë ardhur në Ballkan nga stepat e Azisë.
Nga një zbërthim psikoanalitik, ky është një kompleks shekullor inferioriteti. Dhe ky kompleks po i ha serbët ende së brendëshmi, por tani, që nga viti 1997 ata janë në tmerrin që iu futi lufta për çlirimin e Kosovës, çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 po iu tregon hap pas hapi, që ata kanë qenë të gënjyer me krijime fals në 1000 vjet rresht.
Dhe kjo është një dekadencë që po iu zvjerdh jetën pasi tani po kuptojnë që historia e tyre ka qenë një investim në falsitet historik.
Kurse dekadenca e tyre pushtuese u gjeneron së brendshmi duke iu kujtuar vazhdimisht që në Ballkan sot janë dy shtete shqiptare dhe Maqedonia e Veriut që ata, me një torturë të brendshme, kanë filluar ta shohin si një shtet në ikje, sepse pritet që, Maqedonia e Veriut, të ndahet në një territor shqiptar prej 1.200.000 shqiptarësh me tendencën e bashkimit të saj me Kosovën, dhe një territor bullgarësh që mund të bashkohet me Bullgarinë.
II.
Por brenda kësaj tabloje gjendet edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tani është i fundosur nga historia e vërtetë që po tregon se Serbia nuk ka më forcë historike. Dhe ajo, si shtet, po gjendet ende në tragjedinë e luftrave banditeske të Sllobodan Milosheviçit. Por dihet se një ish ministër i Milosheviçit ka qenë edhe Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç, është një mediokër, që herë-herë duket si i dehur, dhe flet për forcën që do të ushtrojë për pushtimin e Kosovës.
Kuptohet se nuk ka fuqi të bëjë dot luftë, se në Kosovë është e pranishme NATO me trupat e saj.
Ëndrra në mes të diellit, janë këto hakërime fëminore të Vuçiçit.
Koha na ka treguar se ligësia pushtetarin e çon në momente delirante për të sunduar me pasionin, por shpesh ky pasion të çon edhe në delir. Dhe, po ta shohësh me vëmendje, ligësia Milosheviç nga e cila udhëhiqet në politikë Aleksandër Vuçiç, e ka çuar shpesh Vuçiçin nga deliri Milosheviç, në rënien shpirtërore që i sjell humbja.
Por, kur Viçiç mbërthehet së brendshmi me peshën e humbjes, ai niset te Putini për të rimarrë sërish dozat e delirit. Kurse ngjarjet e fundit kuptohet se po e fusin në peshën therëse të humbjes dhe shpejt do të humbasë çdo shpresë.
Vuçiç kuptohet se është i prekur me sëmundjen e vjetër antishqiptare serbe që nuk iu del dot serbëve prej shekujsh. Dhe duhet të kujtohemi që serbët janë rritur dhe edukuar me një trajtim që u është servirur sikur Serbia të jetë një superfuqi, dhe prandaj qajnë tani që janë duke u prekur nga zhgënjimi i së vërtetës.
Serbët tani, më në fund, po kuptojnë dy gjëra: forcën e dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik, dhe vërtetimin absolut historik që shqiptarët kanë ardhur nga zhvillimi historik pellazgo-iliriko-albano- shqiptar.
Por, habia është se si ende nuk po e mbledh veten dhe ende po kërkon pushtim territoresh në Kosovë ky Aleksandër Vuçiç!
Ende nuk e ka mësuar ky lloj presidenti serb se mjeshtri kriminal i tij, Sllobodan Milosheviç, e hëngri kokën në Kosovë?!
Po Moska, a nuk e di këtë dhe, Vuçiç, nuk e di ndërkohë që Moska është në krizë?
Po çfarë e detyron Vuçiçin që të bredhë kuturu nëpër shtigje lufte kundër Kosovës, kur e di se nuk mund të bëjë dot një luftë kundër Amerikës?
Aaa, ja, këtu ka një diçka specifike: i çmenduri beson gjithmonë te realizimi i shpejtë i lakmisë së tij. Por, zhgënjimi shpesh i ka degdisur këta nëpër çmendina, por edhe në vetëvrasje.