Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi”. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, në një reagim pas maxhoranca socialiste mbrojti sërish me votë kolegen Olta Xhaçka, duke mosmiratuar mocionin e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për papajtueshmëri mandati.
Sipas Bardhit injorimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur kurrë në 34 vjet, duke bërë që Shqiëpria të mos ketë asnjë dallim me regjimet diktatoriale.
“Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale. Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se Edi Rama tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë Edi Rama refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK”, tha Bardhi.
Bardhi thekson se dje u shkelmuan parimet elementare të shtetit ligjor.
“Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!”
Duke dënuar aktin e djeshëm në Kuvend, Bardhi thekson se PD do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
“GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për t’i dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor”.