Jeta publike në Francë po rëndohet nga shtimi i numrit të infektimeve me virusin Corona. Zgjedhjet lokale u mbajtën me rekord të ulët në votime.
Jeta publike në Francë është ndalur pothuajse plotësisht për shkak të virusit Corona. Francezët megjithatë shkuan në votime dhe zgjodhën parlamentet e rinj rajonalë. Pjesëmarrja ishte e ulët.
Në zgjedhjet për kryetar bashkie në Paris po përvijohet fitorja e kryetares aktuale socialiste të bashkisë, Anne Hidalgo. Me 30 përqind, sipas një parashikimi të Institutit Ipsos, ajo ishte tetë përqind para konkurrencës kryesore të saj konservatore Rachida Dati. Të dy kandidatet kishin pasur më parë një garë gjoks më gjoks në sondazhe. Mjaft larg tyre, me më pak se 18 përqind vlerësohet se ka përfunduar Agnès Buzyn, e cila kandidoi në favor të partisë La Republique të Kryeministrit Emmanuel Macron.
Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Francë, në kohën e virusit të koronës, sipas vlerësimeve fillestare ka përfunduar me një rekord të ulët të pjesëmarrjes së votuesve. Sipas llogaritjeve të institutit Ipsos-Steria, votuan rreth 44 deri 46 përqind e atyre që kishin të drejtë vote. Ky ishte niveli më i ulët në një raund të parë që nga fundi i viteve 1950. Në zgjedhjet e fundit lokale gjashtë vjet më parë, pjesëmarrja ishte rreth 20 përqind më e lartë.
Shumë u druajtën se rezultati nuk do të ishte përfaqësues për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. “Shkalla e lartë e abstenimit që kemi është dëshmi e shqetësimit të madh të qytetarëve tanë,” tha kryeministri francez Edouard Philippe. Presidenti Emmanuel Macron mbrojti vendimin e tij për t’i mbajtur zgjedhjet, kur e hodhi votën në vendpushimin verior francez të Le Touquet. Ai tha se nuk ishte përgjegjës vetëm për shëndetin e qytetarëve, por edhe për jetën demokratike në Francë.
Megjithëse jeta publike në Francë thuajse është ndalur, të dielën u thirrën pothuajse 48 milionë vetë për të shkuar në qendrat e votimit. Pati kritika masive ndaj vendimit për lejen që zgjedhjet të zhvilloheshin megjithë përhapjen e virusit Corona.
Shumë politikanë tani kërkojnë të paktën shtyrjen e raundit të dytë të dielën e ardhshme. “Mbajtja e këtyre zgjedhjeve lokale është një vendim i pakuptueshëm për bashkatdhetarët tanë,” tha politikania e krahut ultra të djathtë Marine Le Pen në mbrëmje. Aty ku nuk arrihet shumica absolute, do të ketë një votim të dytë më 22 mars. Për këtë mund të kandidojnë të gjithë listat, ku është arritur më shumë se dhjetë përqind në votimin e parë. A do të ndodhë në të vërtetë duhet të vendoset të martën.
Ministria Franceze e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu një rritje masive të rasteve të virusit Corona. Tani Franca ka rreth 5.400 infektime, që do të thotë se numri është rritur me 900 brenda 24 orëve. Numri i vdekjeve u rrit nga 91 në 120 brenda 24 orëve./DW