Kryesore Socialistët tërhiqen nga shkarkimi i Presidentit Meta

Socialistët tërhiqen nga shkarkimi i Presidentit Meta

Shumica socialiste vendosi të premten të tërhiqet nga propozimi i një viti më parë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Në përfundim të hetimeve, Komisioni Hetimor ka arritur në përfundimin se Presidenti Meta ka kryer shkelje si duke shfuqizuar datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit ashtu dhe në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por këto shkelje sipas Klotilda Bushkës, relatores së raportit përfundimtar, nuk kanë sjellë pasoja të tilla që mund të justifikojnë shkarkimin e kreut të shtetit.

Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta u thirr nga socialistët, të cilët më pas morën edhe përkrahjen e opozitës parlamentare. Ai u ngrit më 8 korrik dhe në përbërje të tij ka pasur Ulsi Manjën, Klotilda Bushkën, Vasilika Hysin, Bashkim Finon, Alket Hysenin, Adriatik Alimadhin, Alban Zenelin, Halit Valterin dhe Krenar Rryçin.

Në qendër të hetimeve do të ishte veprimtaria e Presidentit Meta në lidhje me anulimin që ai i bëri më 11 qershor zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje të cilat u mbajtën pa praninë e opozitës, vetëm me kandidatë të Partisë Socialiste dhe Bindjes Demokratike.

Por në muajin tetor, këtij komisioni iu shtua edhe çështja e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese, ku socialistët pretenduan se emërimi i Arta Vorpsit ishte i ligjshëm dhe mënyra se si veproi Presidenti, duke emëruar përkundër saj Marsida Xhaferllarin, ishte në shkelje kushtetuese.

Rreth 8 muaj më vonë, Manja e quajti këtë çështje të sqaruar nga opinioni i Komisionit të Venecias. Në opinionin e saj Venecia u shpreh se Presidenti nuk kishte shkelur Kushtetutën në procedurën e ndjekur prej tij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese pasi Këshilli i Emërimeve kishte “vepruar në mungesë transparence”.