Tragjedia e rëndë që ka goditur Shqipërinë ka bashkuar si rrallëherë të gjitha shtetet e Ballkanit, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, duke zgjuar frymë të jashtëzakonshme solidariteti.
Ndërkohë që shqiptarët janë sot zemërthyer, të gjithë fqinjët tanë janë mobilizuar duke dërguar ndihma humanitare, ushtarake dhe mjekësore. Kosova, Greqia, Italia, Mali i zi e Serbia nxituan të dërgonin ekipe specialistësh; skuadra ekspertësh rumunë me qen të stërvitur u janë bashkuar operacioneve të kërkimit.
Videoja e nisjes drejt Durrësit të kolonës së mjeteve të Mbrojtjes Civile puljeze ka pushtuar rrjetet sociale.
“Le të mbështesim vëllezërit dhe motrat tanë shqiptarë, që u goditën rëndë nga tërmeti”, thanë zjarrfikësit italianë. Njëqind vullnetarë po vijnë nga Molise të koordinuar nga Mbrojtja Civile Italiane. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias zbarkoi brenda ditës në Shqipëri, për një vizitë të paplanifikuar; ministri i Shëndetësisë dhe ai i Brendshëm i Malit të Zi, Kenan Hrapoviç dhe Melvudin Nuhodzic, erdhën në Thumanë, për ta parë nga afër gjendjen në zonën e goditur më rëndë nga tërmeti.
Një mbështetje dhe solidaritet me banoret e zonave te prekura nga tërmeti edhe shoqata me e madhe e tifozëve të ekipit grek të futbollit të PAOK-ut të Selanikut ka ftuar gjithë banorët e qytetit verior të Greqisë të mbledhin ndihma për qytetarët shqiptarë shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga lëkundjet e fuqishme sizmike.
Mali i Zi ofroi ndihmë përmes dërgimit të ekipeve të shpëtimit dhe atyre mjekësore, por edhe me trajtimin e të lënduarve në spitalet malazeze. Shefi i shtabit të Ushtrisë Kroate, gjenerali Mirko Sundov, njoftoi se Kroacia do të dërgojë dy helikopterë dhe një njësi të mbrojtjes civile të Ministrisë së Mbrojtjes për të ndihmuar Shqipërinë në operacionin e rimëkëmbjes.
Sektori i emergjencës në Ministrinë e brendshme serbe ka dërguar 13 specialistë, e Presidenti serb Aleksandar Vucic ofroi dhe ndihma të tjera.
Ndihma në përmasa jashtëzakonisht të mëdha ka ardhur nga Kosova, në të gjitha mënyrat. Që nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, Kosova u aktivizua me gjithë kapacitetet për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit dhe më pas për të ndihmuar financiarisht të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.
Por përveç veprimeve të koordinuara nga Prishtina, organizata të shumta humanitare, parti politike, pushteti lokal, klube sporti, biznese të vogla dhe të mëdha, por edhe me mijëra individë, u gjendën me shpejtësi matanë kufirit për të dalë në ndihmë me të mira materiale dhe gatishmëri të tjera.