Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca është prekur nga solidariteti që tregoi Shqipëria me dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë Covid-19. Në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Ambasadori Soreca tha se i kanë ardhur qindra mesazhe dhe telefonata nga bashkëkombasit e tij që shprehnin solidaritet dhe ngrohtësi për shqiptarët.
“Unë jam Ambasador i BE-së në Shqipëri por jam edhe italian, me krenari jam italian. Kështu që kam dy kapele nëse mundem ta them kështu. Si italian, si qytetar italian u preka shumë, ndihëm shumë i prekur nga ky gjest që bën autoritetet shqiptare dhe mund t’iu them tani si Ambasador i BE-së që më kanë ardhur shumë, shumë mesazhe, ndoshta qindra mesazhe dhe telefonata nga qytetarë italianë të cilët kanë shprehur jo vetëm solidaritetin por edhe ngrohtësinë e tyre për Shqipërinë.” – tha Soreca në Përballë.
Vendimi për të dërguar mjekët dhe infermierët drejt Italisë përkoi pak ditë pas çeljes se negociatave, detaj ky që për Ambasadorin Soreca është shumë i rëndësishëm.
“Kur Shqipëria po kalonte vështirësitë, revolucionin e vitit 1991 dhe natyrisht erdhi ai momenti i madh kur patëm migrimin e mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë drejt Italisë unë kam qenë mjaftueshëm i rritur sa për ta mbajtur mend fare mirë atë moment. Kështu që tani më duket se kemi arritur në këtë qark i cili po mbyllet, ku tashmë kemi shkencëtarë shqiptarë, pra mjek apo infermierë që po japin ndihmën e tyre. Në jemi shumë afër si shtete. Por më lejo të të them si zyrtar i Bashkimit Evropian që mua kjo mu duk kaq e rëndësishme pasi erdhi vetëm pak ditë pas çeljes së negociatave dhe Shqipëria po jep kontributin e saj tashmë në Bashkimin Europian, ashtu siç po bëjnë dhe të tjerë”, theksoi Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca në Përballë.