Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer ka komentuar shortin e Champions League që e vendosi skuadrën e tij përballë Barcelona-s.
“Ne i duam këto ndeshje kundër klubeve dhe ekipeve të mëdha. Jemi përballur në finalet e vitit 2009 dhe 2011, po ashtu në gjysmëfinale të vitit 2008 kur Scholes shënoi. Këto ndeshje tifozët tanë dhe ne i dëshirojmë. Po e presim me padurim”, tha fillimisht Solskjaer.
“Unë jam ndryshe nga 99% e menaxherëve, pasi unë pëlqej që të kemi ndeshjet jashtë si atë ndaj PSG-së. Nëse arrin rezultat të mirë në shtëpi, atëherë ne e dimë se mund të shkojmë dhe t’i shkaktojmë probleme cilitdo ekip, ashtu siç bëmë në Paris”, përfundoi trajneri i “Djajve të Kuq”.
Edhe trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka komentuar shortin, duke deklaruar se përballja ndaj Tottenham në çerekfinalet e Champions League nuk e shqetëson aspak. Në atë periudhë të sezonit, dy skuadrat do të luajnë 3 herë në harkun kohor të 12 ditëve, çka e bënë këtë përballje spektakolare. Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin e ri të Tottenham dhe ajo e kthimit pas 10 ditësh në Manchester. Në mes, sfida e kampionatit.
“Jemi dy skuadra që e njohim mirë njëra-tjetrën, ndaj do të jetë një përballje 50-50. Nuk ka favoritë për këtë sfidë në Champions, për fat luhet në 180 minuta. Çdo ekip ka anën e tij të fortë dhe dobësitë e tij, si ne ashtu dhe rivalët tanë. Kam respekt të madh për Tottenham, por kjo gjë vlen për çdo rival që do të kishim përballë në Champions League raundin tjetër”, u shpreh Guardiola.
“Të trija ndeshjet ndaj Tottenham janë të rëndësishme, njëra për kampionat dhe dy për Champions, ndaj asnjëra nuk do të nënvlerësohet. Mund të shkojmë deri në fund në të dyja eventet. Nuk do të toleroj në kampionat për Champions, sidomos tani që jemi në krye. Çdo gabim është i ndëshkueshëm dhe i parikuperueshëm, ndaj nuk do të tolerojmë në asnjë sfidë. Do të luajnë më të mirët”, tha Guardiola.