Sulmi me bojë ndaj kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare do t’i kushtojë shtrenjtë deputetit të PD, Edi Paloka.
Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, për incidentin e ndodhur këtë të enjte në Kuvend.
“Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”, thuhet në një reagim të përcjellë për mediat nga Ministria e Brendshme.
Gjatë seancës së sotme, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, Paloka e sulmoi me bojë kreun e qeverisë, pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Xhaferrit për fjalimin e Lulzim Bashës.
Rama e cilësoi Bashën “fëmijë” dhe tha se nuk di çfarë flet.
Megjithatë vetë Partia Demokratike sqaroi se veprimi i Palokës në fakt erdhi si pasojë e bullizmit që Kryeministri, sipas saj, ushtroi ndaj nënkryetarit të PD.
“Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajtja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”, deklaroi selia blu.