IPR Marketing dhe RTV Ora publikoi sonte sondazhin e parë për këtë vit. Sondazhi është në nivel kombëtar dhe intervistat janë zhvilluar javën e kaluar, janë përpunuar dje dhe sot është marrë rezultati përfundimtar.
Kampioni i përdorur janë rreth 2000 zgjedhës dhe përfaqësojnë gjithë popullatën rezidente në Shqipëri. Nga Tirana janë 31.3% të intervistuarve.
Sondazhi: 62 % duan të ikin nga Shqipëria
Emigracioni është një fenomen që në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas sondazhit të IPR Marketing të publikuar në RTV ORA, janë 62.2% e shqiptarëve që duan të largoheshin nëse do t’i jepej mundësia. 35.1% janë përgjigjur se do të qëndrojnë në Shqipëri dhe 2.8 % kanë thënë: “nuk e di”.
Krimi si një çështje që ka trazuar shoqërinë, por edhe klimën politike vazhdon të jetë problem për qytetarët shqiptarë. Krahasuar me 3 vitet e fundit, 53.4% e shqiptarëve mendojnë se krimi në vend është rritur. Të paktë janë ata që mendojnë të kundërtën, ku 17.0% mendojnë se ky fenomen ka pësua rënie. Janë 23.6% e shqiptarëve që mendojnë se krimi është po në të njëjtat nivele si para 3 vitesh. Ndërsa 5.9 % thonë se nuk e dinë nëse është rritur apo ka rënë.
Shqiptarët mendojnë se ekonomia shqiptare nuk është përmirësuar në 3 vitet e fundit. Sipas sondazhit të IPR Marketing, 20.9% e shqiptarëve mendojnë se ekonomia është përmirësuar, ndërsa 43.3 % mendojnë se ekonomia shqiptarë është përkeqësuar. 34.7% e qytetarëve mendojnë se ekonomia është njësoj si para 3 vitesh. Ndërsa 1.1% janë përgjigjur nuk e di.
Nga sondazhi i IPR, rezulton se shqiptarët janë të shqetësuar për papunësinë. Me 60.1% ata e kanë renditur papunësinë si problemin urgjent që duhet të zgjidhet.
Më pas vjen korrupsioni, ku 53.2% e shqiptarëve mendojnë se kjo çështje është urgjente për tu zgjidhur. Në vendin e 3-të si problem për tu zgjidhur shqiptarët kanë renditur varfërinë me 45.4%.
Janë 40.8% e qytetarëve shqiptarë që mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. Ndërsa 49.0% thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. 10.2% thonë se nuk e dinë.
Duke bërë një krahasim me 3 vite më parë, 18.5% mendojnë se jetohet më mirë, ndërsa 39.7% mendojnë se në Shqipëri jetohet më keq. Janë 40.5 % e shqiptarëve që mendojnë se jetohet njësoj si para 3 vitesh. 1.2 % janë përgjigjur “nuk e di”.
Pyetjes sesi jetohet në Shqipëri, 34 % e shqiptarëve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 59.7% mendojnë se në Shqipëri nuk jetohet mirë. Ndërsa 5.5% janë përgjigjur nuk e di.