Kryesore Sondazhi: Bie popullariteti i Ramës dhe Kryemadhit, rritet mbështetja për Bashën

Sondazhi: Bie popullariteti i Ramës dhe Kryemadhit, rritet mbështetja për Bashën

Sondazhi i dytë i Euronews Albania dhe MRB, tregon se popullariteti për kreun e PS-së, Edi Rama dhe drejtuesen e së LSI-së Monika Kryemadhi ka shënuar rënie në perceptimin publik, ndërsa e kundërta ka ndodhur me liderin e PD-së Lulzim Bashën.

Kështu, 44.9% e të pyeturve e vlerësojnë shumë/disi pozitive popullaritetin e kreut të PS, çka tregon se ka një rënie në krahasim me sondazhin e parë, ku përqindja e popullaritetit të tij ishte në nivelin 49.1%.

Po ashtu vihet re një rritje e pakënaqësisë me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Vlerësimi për alternativën shumë/disi negative është rritur me 4% (50.5-54.5%) në krahasim me të dhënat e sondazhit të parë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka një rritje të mbështetjes së qytetarëve, të cilët e vlerësojnë popullaritetin e tij. Sipas të dhënave, janë 37.1% ata që zgjedhin alternativën shumë/disi pozitive për liderin e PD.

Në krahasim me sondazhin e parë në këtë pikë, Basha ka një rritje prej 1.7% (35.4-37.1%).  Për alternativen shumë/disi negative ka një ulje të atyre që kanë një mendim jo të mirë për popullaritetin e Bashës (63.9-62.2%).

Ndërkohë për drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi, në lidhje me vlerësimin shumë/disi pozitive ka një zbritje me 3. %, gjithnjë kjo është një e dhënë e krahasuar me të dhënat e sondazhit të parë. Nga 20.7% popullariteti i saj ka zbritur në 16.7%, ndërkohë për vlerësimin shumë/disi negative ka një rritje me 4.2% (78.6-82.8%).

Metodologjia

Sondazhi i kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB zhvilloi 1,600 intervista ballë për ballë me persona me të drejtë vote (mbi 18 vjeç) në 12 zona elektorale urbane dhe rurale nga 25 janari deri më 12 shkurt.

Nga të intervistuarit, diçka më shumë se gjysma ishin femra (51%).

Preferenca për koalicionet, performancën e qeverisë dhe opozitës, si dhe prirja e votës ishin disa nga tematikat kryesore që u morën nën analizë, rreth dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend.