Kryesore Sondazhi në Greqi: Opozita në avantazh të ndjeshëm. Është kundër Shqipërisë

Sondazhi në Greqi: Opozita në avantazh të ndjeshëm. Është kundër Shqipërisë

Sondazhi më i fundit në Greqi, lidhur me preferencat e elektoratit, tregon një avantazh të dukshëm të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.

Konservatorët e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis rezultojnë të marrin në zgjedhje 39% të votave, kundrejt 24,5% që marrin radikalët e majtë të kryeministrit Tsipras.

Pasojnë socialistët e Lëvizjes për Ndryshim (ish-PASOK), dhe në vend të katërt ekstremistët e djathtë të Agimit të Artë.

Pesëshja plotësohet me partinë komuniste që sondazhi e paraqet të marrë 6,5% të votave.

Në rast se vërtetohen parashikimet e sondazhit, atëherë parlamenti i ardhshëm grek do të ketë pesë parti.

Një përfundim i tillë i betejës elektorale do të favorizonte fituesit e zgjedhjeve, duke i dhënë një maxhorancë absolute me deri 173 në ndenjëse në parlamentin 300 anëtarësh.

Ligji elektoral grek përcakton që sa më pak parti të hyjnë në parlament, aq më tepër shtohet numri i vendeve për partinë që fiton zgjedhjet.

Në Greqi janë shtuar ditët e fundit spekulimet se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në muajin maj, bashkë me atë europiane dhe zgjedhjet për pushtetin lokal.

Lideri i opozitës e konsideron të sigurt këtë zhvillim. Mirëpo kryeministri Tsipras përsërit me ngulm se zgjedhjet do të mbahen në përfundim të mandatit, pra në tetor.

Opozita greke kundër çeljes së negociatave Shqipëri-BE

Partia më e madhe opozitare greke, “Demokracia e Re”, thotë se Greqia nuk duhet të japë miratimin e saj për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm në hije i kësaj partie, deputeti Jorgos Koumoutsakos.

Koumoutsakos ka shfrytëzuar mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Politikës së Jashtme, një organ ku marrin pjesë gjithë partitë parlamentare dhe ku siç tha, nuk u përmend fare tema e Shqipërisë.

“Nëse do të kishim diskutuar për këtë çështje, unë do të kisha theksuar se Greqia nuk duhet të japë miratimin e saj, për çeljen e negociatave anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha deputeti konservator grek.

Sipas tij, ky duhet të jetë një qëndrim i qartë i Athinës.

“Qëndrimi i qeverisë shqiptare kundrejt minoritetit grek në Shqipëri, por edhe në çështje të tjera të marrëdhënieve dypalëshe, në raport edhe me situatën aktuale politike në atë vend, duket ta shpjerë qeverinë greke në vendimin për mosdhënien e miratimit në samitin e qershorit. Ky është një qëndrim konstant i “Demokracisë së Re”, tha Koumoutsakos.