Politika Sondazhi: Shqiptarët më të shqetësuarit për korrupsionin, gjysma duan të largohen

Sondazhi: Shqiptarët më të shqetësuarit për korrupsionin, gjysma duan të largohen

Shqiptarët mendojnë se Shqipëria është shteti është më i korruptuar krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas rezultateve të fundit të sondazhit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Barometrin e Ballkanit për vitin 2023.

38% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është një problem i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Ky perceptim është më i larti në rajon këtë vit me një diferencë prej 12 pikë përqindje në krahasim me shtetin e dytë pas nesh, Bosnjë Hercegovina me 26% dhe Maqedonia e Veriut po me 26%.

Për Malin e Zi dhe Serbinë treguesi është 25%, ndërsa shtetasit e Kosovës kanë perceptimin më të ulët të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, me 22%. Mesatarja e rajonit është 27%.

Përqindja e shqiptarëve që mendojnë se korrupsioni është shqetësim për ekonominë e vendit është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë kur treguesi ishte 27% dhe vendi renditej i treti pas Bosnjë Hercegovinës (34%) dhe Serbisë (28%).

Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje të lehtë me një pikë përqindje, ndërsa në shtetet e tjera perceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka rënë, sidomos në Bosnjë Hercegovinë.

Një tjetër problem që është më shqetësues për shtetasit shqiptarë sesa për vendet e tera të rajonit është emigrimi i trurit.

41% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se ikja e trurit dhe emigracionit janë problem i rëndësishëm, shumë më i lartë sesa në shtetet e tjera dhe mesatarja rajonale prej 26%.

Gati gjysma e të anketuarve duan të largohen nga Shqipëria

Nga të anketuarit shqiptarë, 49% e tyre do të merrnin në konsideratë që të jetonin dhe të punonin jashtë vendit. Kjo përqindje është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm, kur treguesi ishte 42%.

Shtetasit e Kosovës janë ata që duan më shumë se të gjithë që të jetojnë e punojnë jashtë vendit, me 57% të të anketuarve që e kanë dhënë këtë përgjigje.

Shtetasit që mendojnë të lëvizin më pak janë atë të Maqedonisë së Veriut, 35%, Bosnjë dhe Hercegovinës, 38%, Serbisë 41%, Malit të Zi 45%.

Sondazhi është realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.