Politika Sondazhi: Shqiptarët vlerësojnë negativisht punën e qeverisë, pakënaqësi dhe për PD-LSI

Sondazhi: Shqiptarët vlerësojnë negativisht punën e qeverisë, pakënaqësi dhe për PD-LSI

Shumica e shqiptarëve e vlerësojnë performancën e qeverisë shqiptare në katër vitet e fundit si negative, zbuloi sondazhi i Euronews Albania me kompaninë prestigjioze MRB të enjten.

52.4 për qind e qytetarëve të anketuar i dhanë punës së qeverisë notë negative, ku konkretisht 24.4% thanë se ishte shumë negative dhe 28% si disi negative.

Nga ana tjetër, qeveria mori notë kaluese nga 47.2 për qind e pjesëmarrësve në studim, ku 33.1% thanë se performanca ishte disi pozitive,m ndërsa 14.1% e cilësuan atë si shumë pozitive.

Gratë ishin ato që u përgjigjën më pozitivisht, ndërsa burrat dominuan përgjigjet negative.

Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç ishin kryesisht të pakënaqurit.

Votuesit e pavendosur, në të cilët bazohet fati i zgjedhjeve sipas rezultateve të projektimeve të sondazhit të MRB, ishin në masën 65.7% të pakënaqur me qeverisjen socialiste.

Shqiptarët i vunë gjithashtu notë, punës së PD dhe LSI, ku ishin të pakënaqur në masën 63.6% për PD dhe 77.9% për LSI.

Nota për liderët e partive: Basha dhe Kryemadhi më të pëlqyer se partia. Rama, lideri me popullaritetin më të lartë

Sondazhi ofroi të dhëna interesante lidhur me popullaritetin e liderëve politikë në vend.

Indeksi i popullaritetit, që përpjesëtoi përgjigjet e pëlqyeshmërisë në raport me prirjen e votave për partitë, zbuloi se lideri i PD, Lulzim Basha ishte më i pëlqyer se partia (indeksi 126), kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte dyfish më e pëlqyer se partia që përfaqësonte indeksi 201), ndërsa kryetari i PS, Edi Rama pati raportin më të vogël parti/pëlqyeshmëri në indeks (118).

Përgjigjet negative dominuan megjithatë mendimin për të tre liderët e partive kryesore: Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Sipas sondazhit, tek votuesit e pavendosur, Rama ishte lideri me popullaritetin më të lartë, pasuar nga Basha dhe Kryemadhi.

Në ndarjen gjinore, burrat vlerësuan më tepër negativisht Edi Ramën, ndërsa për liderin e PD, Lulzim Basha burrat kishin mendimin më pozitiv në raport me gratë.

Tek kryetarja e LSI, pati diferencë mjaft të vogël në ndarjen gjinore për pëlqimin dhe mospëlqimin.

Metodologjia

Sondazhi anketoi 1600 persona me të drejtë vote në 12 zona elektorale urbane dhe rurale në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës 22 dhjetor-31 janar.

Tematikat e pyetjeve qenë të lidhura me performancën e qeverisë, performancën e partive politike, popullaritetin e liderëve politikë dhe vlerësimin për çështjet operacionale në Shqipëri.