Performanca e ministres Ogerta Manastirliu në qeveri vlerësohet si më e kënaqshmja nga anëtarët e kabinetit. Ky ishte rezultati i sondazhit të radhës kombëtar i Euronews Albania nga kompania prestigjioze MRB.
Shqiptarët kanë vlerësuar më shumë Manastirliun, e cila ishte e vetmja ministre që kishte rezultat të lartë në performancë “të kënaqshme” (49.8%), ndërsa 15 pjesëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar kishin performancë “të pakënaqshme”.
Performanca e ministrave, tre gra ndër më të vlerësuarat nga të rinjtë
Të rinjtë vlerësojnë më së shumti performancën e ministreve Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka dhe Belinda Balluku nga 16 anëtarët e kabinetit qeveritar.
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu u vlerësua më lart nga të gjithë (49.8% në total). Performanca e saj ishte më e parapëlqyera nga femrat (52%) dhe grup-mosha 25-34 vjeç (59%).
Prirje të ngjashme vlerësimi nga të rinjtë patën edhe ministrja e Jashtme Xhaçka dhe ajo e Infrastrukturës Balluku – 53.1% dhe 49.1% në grup-moshën 18-24 vjeç.
Ndryshe, të rinjtë nuk vlerësojnë performancën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Bashkë me ministrin Eduard Shalsi, ajo është ndër më pak të vlerësuarit, teksa Spiropali ka dhe vlerësimin më të ulët (19.9%) në grup-moshën 18-24 vjeç.
Socialistët vlerësojnë më pak Denajn, opozitarët më shumë Xhaçkën e Çuçin
Mbështetësit e Partisë Socialiste vlerësojnë më pak ministren e Financave Anila Denaj, ndërsa ata të opozitës vlerësojnë më shumë ministrat Olta Xhaçka dhe Bledi Çuçi.
Këtë tregues e zbuloi sondazhi i kryer për Euronews Albania nga kompania MRB duke iu referuar votuesve në zgjedhjet e vitit 2017.
Votuesit e PS-së shprehen më shumë të kënaqur nga Ogerta Manastirliu (87.7%), dhe më të pakënaqur nga Anila Denaj (38.4%). Votuesit e opozitës rezervojnë pakënaqësi më së shumti nga zëvendëskryeministri Erion Braçe (88.4%) ndërsa i konsiderojnë më të kënaqshme performancat e ministrave Olta Xhaçka e Bledi Çuçi (18.5% dhe 18.3%).
Metodologjia
Sondazhi i kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB zhvilloi 1,600 intervista ballë për ballë me persona me të drejtë vote (mbi 18 vjeç) në 12 zona elektorale urbane dhe rurale nga 25 janari deri më 12 shkurt.
Nga të intervistuarit, diçka më shumë se gjysma ishin femra (51%).
Preferenca për koalicionet, performancën e qeverisë dhe opozitës, si dhe prirja e votës ishin disa nga tematikat kryesore që u morën nën analizë, rreth dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend.